TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 15:44

“Rama narcist tipik”, Lubonja: Kryeministri ka kapur disa ambasada, ky është fakt!

Shkruar nga Pamfleti
“Rama narcist tipik”, Lubonja: Kryeministri ka kapur disa ambasada,
Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja e cilësoi kryeministrin Edi Rama si drejtues që synon kontrollin e plotë të jetës politike dhe publike në vend. Sipas tij, Shqipëria po shkon drejt një modeli autoritar, ku kritika ndaj qeverisë goditet vazhdimisht.

Lubonja komentoi edhe deklaratat e kryeministrit dhe sjelljen e Sali Berishës me reagimet ndaj ambasadorit të BE, Silvio Gonzato.

Teksa deklaroi se Rama ka ambasadorët ndërkombëtarë që i kontrollon, e cilësoi të gabuar taktikën e Berishës për të sulmuar ambasadorin e BE nga preferencat seksuale të tij, duke hequr vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi dhe opozita. Ai e cilësoi Ramën si një “narcist tipik”.

“Këtu është sistemi i tillë, pushteti nuk mbahet dot pa këto lloj tenderësh që pastaj me këto para të blesh votat, të kontrollosh pushtetin, të paguash patronazhistët. Vetëm të bësh fasadë të re, se nuk ndryshon dot gjë tjetër. Ndrysho gjithçka duke mos ndryshuar asgjë, kjo është. Ky nuk lejon t’i bëhet kritikë, opozita është pasqyrë dhe Rama e thyen këtë pasqyrë, narcist tipik, mendoj se është problem psikik më shumë”, tha Lubonja mes të tjerash.

Dhe theksoi se:

“Kjo vjen për shkak se kemi ndërtuar regjim autoritar që shkon drejt putinizmit. Problemi kryesor në vend është regjimi autoritar i Ramës. Kemi të bëjmë dhe me elemente psikologjike. Me sëmundje psikike të një njeriu që nuk arrin që të shohë veten në pasqyrë. Kur demonizon, thyen pasqyrën, do që të shohësh gjënë siç e do vetë. Ai nuk sulmon vetëm opozitën, por dhe gazetarët. Gjithçka që i bën kritikë këtij njeriu, duhet thyer”.

Në lidhje me opozitën, analisti shpjegoi se integrimi i vendit nuk bëhet pa atë, por ajo nuk po i bën mirë punët, duke mos trajtuar problemet kryesore apo mungesën e një bashkimi t faktorit opozitar.

“Procesi i integrimit të vendit nuk bëhet pa opozitën. Opozita thotë për shembull që ka korrupsion, ti thuaj jo. E fundit edhe me raportin e Reporterëve pa Kufij që e nxorën vendin disa vende më poshtë dhe ky i sulmoi. Rama kërkon të eliminojë të gjithë aktorët, edhe opozitën. Jemi të sigurt se ky është narkoshtet, po si mund të futet një narkoshtet në BE? Por edhe opozita nuk i ka bërë mirë punët”, tha ai.

Dhe duke vijuar analizën e tij, Lubonja e shpjegoi me deklaratat e fundit të Berishës ndaj ambasadorit Gonzato. Ai shpjegoi se ka ambasadorë që kontrollohen nga Rama, por opozita nuk duhet të merret me emrat konkretë, por me çështjet dhe faktet.

“Berisha merret me Gonzaton, po nuk merret në tërësi me problemet, merret me Gonzaton dhe i thotë se është homoseksual që nuk ka interes, duhet të merret me atë që ka interes. Që ka ambasadorë të Ramës kjo është parë edhe në kohën e Yuri Kim. Por duhet një opozitë pa komplekse, të jetë e drejtpërdrejtë dhe me argumente. Sepse në aspektin e deklaratës thonë njerëzit ça është ky që merret me seksualitetin e tjetrit. Berisha me deklaratat e tij e vendos Gonzaton kundër vetes. Tani unë mendoj se Rama ka ambasadorët e vet, ka kapur ambasadat e veta, por ndaj këtij problemi duhet një opozitë serioze, racionale, sepse bie realiteti kur faktet nuk qëndrojnë. Me rastin McGonigal e kemi të qartë se u pagua që të sulmohej opozita këtu në Shqipëri.  Ndaj këtu qëndron problemi, të ketë integritet në akuza, të jenë të drejtpërdrejtë dhe të kenë kurajon. Gonzato ambasador i Ramës, por duhet kujdes me akuzat që bëhen, të përqendrohet te problemi”, vijoi analisti komentin e tij.

Lubonja shpjegoi se edhe ndërkombëtarët e dinë se Shqipëria është në narkoshtet apo narkoregjim, edhe vetë ambasadorët e dinë, teksa shikon të nevojshëm një rotacion në vend, pavarësisht “mëkateve të opozitës”.

“Ambasadorët e dinë se Shqipëria është narkoshtet. Megjithë mëkatet që ka opozita, unë jam për rotacion, por nuk vjen ndryshimi menjëherë, është proces. Këto janë intriga të PS dhe Ramës për ta eliminuar kundërshtarin, duke i përçarë dhe sulmuar. Ndaj kemi edhe dobësim të opozitës, se nuk sjell rezultat tani e pastaj, me kilometrin e fundit dhe njerëzit edhe mërziten dhe ikin”, tha ai.

Për Lubonjën gjendja aktuale e opozitës vjen për shkak të intrigave të PS-së dhe Ramës, që e kanë përçarë dhe sulmuar vazhdimisht.

“Pra gjendja e opozitës është rezultat i intrigave të PS-së. Rama ka punuar vazhdimisht për ta eliminuar opozitën, për ta përçarë. Unë mendoj se opozita dhe PD-ja e Berishës nuk po luan si faktor bashkues, duhet një bashkim i saj, të krijohet ky bashkim fillimisht sepse te fitorja është e vështirë të flasësh. Por kur ti largon disa njerëz partia rrjedhimisht dobësohet. Ti duhet të lejosh ndryshimin dhe të marrësh më shumë kontribute. Partia përmirësohet me dialog, demokraci dhe kritika. Problemin e shoh më shumë kulturor jo si individ, a e kemi kulturën ne për ndryshimin, apo të vëmë një patriark e t’i rrimë lepe-peqe, Berisha thotë jam unë dhe vetëm unë ju bashkoj. Ky është realiteti dhe nuk është vetëm shqiptar, shikoni Greqinë, Mitsotakis dhe Papandreu për shumë kohë në krye, por të paktën ka pasur edhe dialektikë mes tyre. Neve na mungon kjo, ai i pari që ka shumicën eliminon të tjerët. Ky s’do dialektikë, ky i heq, jeni kazan plehrash thotë, ose siç tha të fundit (Rama) “specie që duhet zhdukur”, përfundoi ai në News 24.

fatos lubonja edi rama

Lini një Përgjigje