Deklaratat e Sali Berishës ndaj kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kanë sjellë reagim nga diplomatët e vendeve të BE-së, të cilët i konsideruan të papranueshme akuzat e bëra ndaj tij.
Kreu i Partisë Demokratike e kishte cilësuar Gonzaton si “ambasador të Edi Ramës”, ndërsa më pas deklaroi se i qëndron plotësisht komenteve të tij.
Berisha tha se çdo deklaratë e bërë prej tij bazohet në burime që ai i konsideron të besueshme dhe theksoi se nuk do të ndalet së denoncuari ato që, sipas tij, janë veprime të padrejta.
Ai u shpreh se ruan respekt për Komisionin Europian dhe për ambasadorët, por nuk bie dakord me disa qëndrime që i cilëson të papranueshme. Sipas tij, këto raste i ka denoncuar vazhdimisht dhe do të vijojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
“Deklaroj se në mënyrë absolute se gjithçka që kam thënë e kam të bazuar në disa burime. Kam respekt e simpati për Komisionin Europian dhe ambasadorët. Nuk më ndalon gjë të denoncoj ato që i konsideroj të padrejta.Nuk kam dëshirë të polemizoj, por nuk bie dakord me akte të pa pranueshme ndaj i kam denoncuar në vijimësi dhe do t’i denoncoj të vërtetat, nuk i fsheh dot. Ndryshe nuk do të isha ky që jam.”, tha ai.
Dje Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të Kryetarit të PD-së Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Sipas një zëdhënësi të Komisioni Evropian, deklarata të tilla janë të papranueshme dhe BE i dënon ato me forcë.
Në reagimin e postuar në faqen zyrtare të misionit të BE në Facebook thuhet se, “BE-ja dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
“Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë”, citohet në këtë reagim të Bashkimit Evropian.
Kryedemokrati Berisha e ka quajtur Gonzaton si “ambasadorin e Edi Ramës”, që sipas tij ka transmetuar informacione të pavërteta në Bruksel.
Lini një Përgjigje