
Ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur si çështje në Kuvend tensionet në Veri të Kosovës. Qeveria shqiptare vendosi të heshtë dhe Berisha u shpreh se kryeministri shqiptar zbaton urdhrat e presidentit serb.
Sipas Berishës, në raportet e Shqipërisë me Kosovën, gjithçka ndryshoi me takimin e Ramës ne Beograd. Pas asaj vizite, tha Berisha, ai u bë një zëdhënës i neveritshëm, avokat i turpshëm i të gjitha projekteve të Serbisë së Madhe.
“Dolën skenarë që Vuçiçi nuk i shiste dot më parë. Rama e mori me pasion të madh këtë skenar dhe unë ju them shqiptarëve se pas hartave të ndryshimit të kufijve, kishte një qëllim, zhvleftësimin e pavarësisë së Kosovës, dhe ndarjen e saj mes Serbisë dhe Shqipërisë. Por ky projekt u hodh poshtë falë kancelares Angela Mercek dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk humbën asnjë minutë kohë dhe nxorën Mini-Shengenin në të cilin hartën që vendosën në platformën e samitit, Kosova ishte zhdukur”, tha ai.
Jashtë parlamentit Berisha tha se ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës nga Shqipëria jo vetëm që nuk shërben, por ka efekt negativ dhe përkeqëson situatën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne i shprehëm qëndrimet tona dhe fjala ime aty ishte. Mendoj se ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës nga Shqipëria është absolutisht e gabuar. Jo vetëm që nuk shërben, por ka efekt negativ dhe përkeqëson situatën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Dialog shumë i domosdoshëm në këtë periudhë, por Edi Rama ka interesa të tmerrshme personale sepse po afrohet data e gjyqit dhe ai nuk fle më. Nuk do ta lexoj, nuk ka akt më nonsens. Për Edi Ramën si argat i Vuçiçit është palë e Vuçiçit. Propozimin e ka marrë në sirtarët e Vuçiçit”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje