Shërbimi inteligjent i NATO-s ka përgatitur prej ditësh një material të rëndësishëm, të cilin e disponojnë të gjithë vendet anëtare të Aleancës.
Sipas këtij materiali, ka të dhëna të plota për një plan trazirash në Kosovë, përkatësisht jo thjesht në veriun e saj, por edhe në pjesën e brendshme të banuar nga serbët.
Sipas materialit, pjesë e të cilit siç mësohet, i është bërë e ditur edhe autoriteteve të Beogradit, bëhet fjalë për një përpjekje diversive të ngjashme me kaosin e vitit 2004, kur në Kosovë u sulmuan shkolla dhe kishat serbe në pjesën e brendshme të saj, kryesisht në zonën e rrafshit të Dukagjinit.
Në këtë përpjekje janë identifikuar edhe hartuesit e planit, që sipas NATO-s, janë shërbimet sekrete ruse; përkatësisht shërbimi i jashtëm i GRU, i cili është present në Serbi, në NISH, ku ka bazën më të madhe logjistike dhe komanduese.
KFOR-it, i është këshilluar që të marrë nën mbrojtje ndërtesat publike dhe ato private të zonave të banuara nga serbët.
Siç mësohet, njësi të KFOR-it kanë rritur patrullimin në zonën e Gjakovës, ku shërbejnë kryesisht karabinierët italianë. Mësohet gjithashtu se në ndihmë të tyre do të shkojë edhe një njësi ushtarake amerikane dhe një e xhandarëve turq.
Materiali thekson se synimi është që të futet Kosova në një vatër e nxehtë konflikti, për të larguar vëmendjen nga Ukraina, e për ta thirrur si çështje në OKB.
Duhet pasur parasysh se aktualisht Rusia drejton Këshillin e Sigurimit në OKB, e shumë shpejt do të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit, ku është ftuar qeveria e Serbisë që të raportojë, si dhe përfaqësuesi i UNMIK-ut. Që natyrisht është vëtëm kancelari, por për rezolutën 1244 që njeh Rusia, mund të lëvizë gjërat.
Shpërthimi i trazirave, mund të krijojë një momentum edhe politik për të çarë izolimin rus.
Ditën e sotme në Bruksel është paraparë një mbledhje e Këshillit të Ambasadorëve të NATO-s, ku përveç shërbimit inteligjent pritet të raportojë edhe Kryekomandanti i trupave aleate në Europë. / Pamfleti
Lini një Përgjigje