Komisioni i Ligjeve u mblodh sot që të diskutonte mbi këto nisma, por në fund nuk u arrit konsensusi dhe draftet përfunduan në “kalendat greke”...
Nisi me bujë të madhe, por përfundoi në “flluskë sapuni”. Bëhet fjalë për planin e Partisë Socialiste për të zbuluar spiunët e Sigurimit dhe për t’i larguar ata nga politika.
Kur Ilir Meta la Presidencën, Autoriteti i Dosjeve nisi një tymnajë të madhe, e cila madje alarmoi dhe kryetaren e Kuvendit. Ilir Meta dilte që kishte qenë sigurims dhe PS nisi punën për të hartuar 4-5 ligje që do na mbronin nga spiunët. Por e gjitha ishte lojë. Në fakt ata janë bashkë.
Ligji për hapjen e dosjeve ka 7 muaj në fuqi dhe asnjë e dhënë nuk dihet për Ilir Metën. Ndërkohë javën që lamë pas, u njoftua se Kuvendi kishte futur në kalendar dy nisma që synonin largimin e sigurimsave nga politika. PS propozonte ndërhyrje në ligjin e dekriminalizimit dhe në ligjin për partitë politike, që një bashkëpunëtor i Sigurimit të mos ishte deputet apo kryetar bashkie dhe t’i hiqej e drejta e drejtimit të një partie. Por ato ligje sot ranë poshtë.
Komisioni i Ligjeve u mblodh sot që të diskutonte mbi këto nisma, por në fund nuk u arrit konsensusi dhe draftet përfunduan në “kalendat greke”. Shkak u bë një letër e ambasadores së BE.
Christiane Hohmann, shkruante se kjo çështje lidhej me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut dhe i kërkonte Komisionit të Ligjeve që të sigurohej që nisma të tilla të ishin në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias dhe opinionet që ky i fundit ka dhënë për të njëjtën çështje në vitet 2009 dhe 2018.
Letra u bë publike nga deputeti i opozitës, Gazment Bardhi. Ai akuzoi kryetaren e komisionit, Klotilda Bushka se me vetëdije kishte tentuar të shmangte shqetësimin e BE-së, duke mos e shpërndarë letrën për të gjithë anëtarët e komisionit.
“Si e kuptoj unë shqetësimin e delegacionit të BE, kërkesa e tyre është që para se të ecim me iniciativa të tilla që prekin shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, do të duhet patjetër që ne ti drejtohemi Komisionit të Venecias për një verifikim të këtyre nismave” tha Bardhi.
Bushka u mbrojt duke bërë të ditur se letra e BE-së i ishte vënë në dispozicion relatores së nismave të PS-së, Ermonela Felaj, që ajo të kishte parasysh nëse nismat përmbushnin standardet e opinioneve të mëparshme të Venecias.
Ndërkohë, Felaj i mbrojti nismat, duke i cilësuar të vonuara, por të nevojshme. Por në fund u ra dakord q të zhvillohen konsultime të mëtejshme që palët të gjejnë emëruesin e përbashkët. Pra për këtë sesion nuk do të ketë miratim të tyre. Kjo do të thotë se Meta do vijojë të jetë aktiv në politikë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje