
Presidenti Bajram Begaj është treguar i devotshëm sa i takon ndryshimeve në qeveri. Brenda 30 minutash nga dorëzimi i kërkesës, presidenti ka firmosur shkarkimin e Bledar Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm dhe ka emëruar në këtë dikaster Taulant Ballën.
Dekretet tani do të shkojnë në Kuvend dhe pritet të miratohen ditën e enjte. Edhe pse është folur se ka një krisje në raportet Rama-Begaj, Presidenti kur vjen puna te dekret nuk di të kursehet.
Dy ditë më parë, ishte vetë kryeministri Rama ai që njoftoi përmes rrjeteve sociale shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe zëvendësimin e tij me Taulant Ballën.
Shkarkimi i Çuçit erdhi disa ditë pas ngjarjes së rëndë në Krujë, ku persona të afërt me deputetin Rrahman Rrahja dhunuan mizorisht dy kushërinjtë Maja në lidhje me një denoncim që ata kishin bërë për dëmet që iu ishin shkaktuar në shtëpi nga një gurore.
Për këtë ngjarje, dorëzoi mandatin dhe vetë deputeti Rrahja, i cili pritet të zëvendësohet në Kuvend nga Arkend Balla. Ndërkohë ky emërim i Taulant Ballës, shkakton një sërë ndryshimesh të tjera në pozicionet si kryetar i grupit të PS-së në Kuvend, kryetar i delegacionit të parlamentit të Shqipërisë në PE, si dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit./Pamfleti
Lini një Përgjigje