
Partia Socialiste është tërhequr nga ndryshimet e propozuara për Komisionin e Reformës Territoriale. PS-ja kërkonte të ndryshonte formulën e përfaqësimit në komision.
Ata kërkonin 17 anëtarë në Komisionin e Reformës Territoriale, 9 nga PS dhe 8 nga opozita, në vend të ndarjes së barabartë që zbatohet aktualisht. PS-ja kërkonte edhe ndryshim në drejtim. Socialistët kërkonin që Komisioni të kishte një kryetar nga mazhoranca dhe një nënkryetar nga opozita, në vend të dy bashkëkryetarëve.
Socialistët argumentonin se ndryshimet sigurojnë vazhdimësinë e punës, pas mungesave të opozitës në mbledhjet e Komisionit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, në përfundim të seancës së sotme plenare, mazhoranca u tërhoq nga propozimi i saj, pasi Partia Demokratike deklaroi se nuk mori pjesë për shkak të angazhimeve të tjera dhe jo për bojkot.
Pas kësaj, Kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla kërkoi heqjen nga rendi i ditës, ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale.
“Kërkoj ndryshim në rend dite për mosshqyrtim projektvendimin për ndryshimet e për ngritjen e Komisionit Territorial në këtë seancë, besoj ka dakordësi nga të gjitha palët dhe me shpresën që puna do të rifillojë në Komision”, tha Balla.
Gjithashtu, në fund u votua edhe rendi i ditës. Të gjitha projektligjet kaluan me votata e mazhorancës.
Ligjet e votuara në seancën e sotme:
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, 2021-2027”, ratifikuar me ligjin nr. 12/2024.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027”, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021–2027”, ratifikuar me ligjin nr. 71/2024.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, ‘Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope’”.
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, ‘Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 221, datë 4.2.2010, ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’”.
Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.
Lini një Përgjigje