Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, ka deklaruar se bojkoti i reformës territoriale nga Partia Demokratike do të ishte një gabim politik që i shërben drejtpërdrejt mazhorancës.
Shehi paralajmëroi se largimi i opozitës nga proceset institucionale përsërit skenarët e dështuar të viteve 2015 dhe 2019.
Sipas tij, reforma territoriale duhet të ndërmerret për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo interesave elektorale të palëve politike. Shehi solli në vëmendje pasojat e reformës së vitit 2015, duke theksuar se premtimet për ulje shpenzimesh dhe rritje efikasiteti nuk u realizuan.
“U pretendua se do të kurseheshin 80 milionë euro, por në fakt shpenzimet u rritën me rreth 140 milionë. U tha se do të ulej administrata, por kjo nuk ndodhi. Reforma u përdor politikisht dhe nga pikëpamja elektorale,” u shpreh Shehi në emisionin “Studio Live”.
Shehi: Kështu do të vazhdojë kjo punë? Sa herë do bëhet një reformë afatgjatë, ata do të ikin për arsye dhe konjuktura momentale? Kush i pengon të jenë edhe në komision, por edhe të dalin në protestë. Përse sa herë që duhet tensionuar situata përdoret parlamenti? Po ti ofro një herë alternativën apo idenë tënde! Mbro interesin e qytetarëve se në fund të fundit, në këto 15 vjet a humbi gjë Rama se u tërhoq opozita nga reforma? Ai e bëri reformën siç pati qejf. E dyta, humbi gjë pse doli opozita nga zgjedhjet? Rama i fitoi zgjedhjet me ato votat e kryetarëve të bashkisë. Kush e bën këtë gabim nuk ka dëshirë për të ardhur opozita në pushtet. Siç duket kjo lloj simbioze pozitë-opozitë u pëlqeka të dy palëve. Kush po i pengon të rrinë dhe në komision dhe të dalin në protesta në bulevard? Unë uroj të prevalojë llogjika dhe arsyeja politike.
Unë nuk mendoj që situata zgjidhet me protesta, ndryshe do të ishte shumë e bukur. Protesta kemi bërë në 2019 dhe në 2021 kur u braktis parlamenti, edhe ky një gabim fatal, pra kemi bërë protesta shumë më të mëdha se këto dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk shoh asnjë shpresë, ndonëse është e drejtë të protestohet. Ka tentativa për bashkim mirëpo ajo që na afrohet është që të bashkohemi përqark Berishës. Kjo punë nuk vlen më. Unë besoj që personazhi nuk është më i vlefshëm për të udhëhequr opozitën. Duhet gjetur një formulë tjetër, një rrugë tjetër, një trajektore tjetër politike.
Ai që mbron idetë e veta, merr iniciativë, kthen dorën ndaj absolutizmit të PD ku dëgjohet vetëm një njeri, e quaj pozitive. Unë çmoj që ka të rinj, njerëz me kurajo. Salianji ishte hero deri dje, ndërsa sot e akuzojnë për lloj lloj gjërash dhe i thonë edhe i vetëpërjashtuar nga PD. Sot po bën diçka që i vlen demokracisë së brendshme në PD dhe demokracisë në përgjithësi.
Lini një Përgjigje