Partia Socialiste ka dhënë sinjale se mund të mbështesë masa kufizuese ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, në kuadër të diskutimeve për mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.
Gjatë një seance në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, teksa fliste për ligjin e barazisë gjinore, u ndal edhe te çështja e mbrojtjes së fëmijëve. Ai deklaroi se do të ishte i gatshëm të votonte një vendim për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke e cilësuar këtë si një praktikë që po ndiqet edhe nga vende të tjera evropiane dhe më gjerë.
Sipas Ballës, çdo hap i tillë duhet të vijë pas një konsultimi të gjerë publik dhe të bazohet në përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e përdorimit të pakontrolluar të mediave sociale.
“Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla
Diskutimi vjen në një kohë kur disa shtete kanë nisur ose po shqyrtojnë masa konkrete në këtë drejtim. Spanja ka njoftuar se planifikon ndalimin e mediave sociale për personat nën 16 vjeç, ndërsa Franca ka miratuar së fundmi një projektligj që ndalon përdorimin e tyre për të miturit nën 15 vjeç. Edhe Portugalia po përgatit një nismë të ngjashme.
Në rajon, Greqia po konsideron gjithashtu kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa autoritetet greke kanë theksuar nevojën për veprime të koordinuara për mbrojtjen e fëmijëve në epokën digjitale.
Lini një Përgjigje