Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar turin e takimeve me strukturat demokrate në rrethe, duke u ndalur këtë herë në Fier, ku ka mbajtur një qëndrim kritik si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj drejtimit të Partisë Demokratike.
Salianji u shpreh se kryeministri Edi Rama vijon të jetë në pushtet me më shumë mandate dhe vota, duke theksuar se parashikimet për rënien e qeverisë janë përsëritur prej vitesh pa rezultat. “Edi Rama është ende në qeveri, fatkeqësisht, me më shumë mandate dhe me më shumë vota. Shumë thonë se fundi i tij ka ardhur, por llogaritë finale bëhen në kutitë e votimit, sepse rotacioni është proces politik”, deklaroi ai.
Sipas Salianjit, kundërshtari i opozitës është i qartë dhe duhet përballur drejtpërdrejt përmes angazhimit politik dhe qytetar. “Kundërshtarin nuk e zgjedhim ne, ai është Edi Rama dhe duhet përmbysur në kutitë e votimit, duke frymëzuar shumë njerëz dhe duke protestuar në çdo cep të Shqipërisë”, tha ai, duke shtuar se premtimet për rrëzim të shpejtë të qeverisë kanë qenë vetëm “ëndrra në sirtarë” për 13 vite me radhë.
Duke iu referuar situatës brenda Partisë Demokratike, Salianji tha se demokratët kanë duruar mjaftueshëm gjatë viteve në opozitë dhe se nuk kanë ardhur në politikë për të heshtur. “Ne nuk kemi ardhur në politikë për të heshtur padrejtësisht, por për të folur përballë qytetarëve dhe përballë lidershipit, ashtu siç kam folur përballë qeverisë”, u shpreh ai.
Ai kritikoi drejtues të PD-së për refuzimin e garës së brendshme, duke e cilësuar këtë si mungesë integriteti dhe përgjegjësie historike. “Iluzionet për të mos lejuar garën e brendshme janë mungesë e thellë e përgjegjësisë për sakrificat e demokratëve në 13 vite opozitë”, tha Salianji.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike nuk është pronë e askujt dhe se pa garë dhe përgjegjësi nuk mund të ketë forcim të opozitës.
Saliani: Jemi në Fier, si në çdo qytet tjetër, për të hapur një shtet shprese për shqiptarët, një kapitull të ri për PD-në. Unë di të pres, demokratët dinë të presin, dinë të durojnë, por kanë duruar boll 13 vite në opozitë dhe 13 vite që përsëritet e njëjta përrallë e rreme të gjasme rrëzimit të qeverisë.
Dua ta them qartë se me ne disa prej lidershipit nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Sepse ne, dhe unë personalisht, nuk kemi ardhur në politikë për të heshtur padrejtësisht, por për të folur përballë qytetarëve, përballë lidershipit, ashtu siç kam folur përballë qeverisë, për të vërtetat që shqetësojnë demokratët dhe qytetarët shqiptarë.
Iluzionet e disa drejtuesve të PD-së për të mos lejuar garën e brendshme, përveçse mungesë e integritetit politik, shprehin mungesë të thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve në 13 vite opozitë. Përjashtimet imagjinare, etiketimet absurde, miqtë dhe armiqtë imagjinarë nuk duhet t’u shtohen më ndasive tona. Boll janë shpëtuar pjesë nga PD ndër vite.
Këto janë gënjeshra dhe rrena të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, ndërsa pushteti i Edi Ramës është forcuar dhe Shqipëria është varfëruar. PD nuk është pronë e askujt, as e imja, as e juaja, as e kryetarit, as e sekretarit, por e të gjithë demokratëve që mbajnë në supe barrën e rëndë të opozitarizmit.
PD është pronë e demokratëve dhe shpresë e qindra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh të ndodhë në Shqipëri. PD nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përgjegjësi. Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson dhe e largon nga qytetarët.
Nuk mund të flasim për ndryshimin në Shqipëri duke refuzuar ndryshimin në PD. Nuk mund të kërkojmë votën duke mos parë fajet dhe defektet që kemi vetë. Në këtë mënyrë, Edi Rama nuk mund të mposhtet.
Lini një Përgjigje