TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Janar 2026, 17:13

Protesta e opozitës, militantët mblidhen para Kryeministrisë; 1.300 policë rrethojnë godinën

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e opozitës, militantët mblidhen para Kryeministrisë;
Situata para Kryeministrisë

Pritet nga momenti në moment nisja e protestës...

Ka nisur grumbullimi i militantëve të Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ndërsa vetëm pak minuta na ndajnë nga nisja zyrtare e protestës së thirrur nga Sali Berisha. Kjo është protesta e parë kombëtare për vitin 2026 dhe shënon një rikthim të opozitës në rrugë me kërkesa të qarta: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij Belinda Balluku, si dhe krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Policia ka ngritur tashmë kordonin e parë përpara godinës qeveritare, me efektivë të pozicionuar në një rresht të vetëm. Në total janë mobilizuar 1350 forca policore, përfshirë njësi të FNSH-së, Shqiponjat dhe autobotët me ujë, të pajisur me maska kundragaz. Në plan është edhe ndërhyrja në rast incidentesh, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo akt që cenon rendin publik.

Thirrja për protestë vjen pas tubimit të fundit të 22 dhjetorit dhe foltoreve javore të opozitës para Kryeministrisë. Sali Berisha e ka cilësuar këtë si një “gjyq popullor ndaj kryehajdutit të Shqipërisë” dhe ka thënë se është dita për të rikthyer shpresën dhe lirinë. “Populli opozitar do të ngrejë zërin kundër një qeverie të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar shtetasit e saj të shmangin zonën ku zhvillohet protesta dhe të jenë vigjilentë, duke ngritur alarmin për mundësi trazirash. U theksua se edhe protestat që nisin në mënyrë paqësore mund të përshkallëzohen papritur. Personelit të ambasadës u është kërkuar të shmangin zonën midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza gjatë gjithë kohës së tubimit.

 

Lini një Përgjigje