PD proteston për rrëzimin e qeverisë, policia nxjerr mbi 1300 efektivë...
Partia Demokratike rikthehet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” këtë të shtunë, duke organizuar protestën e parë kombëtare për vitin 2026, me thirrje të forta për largimin e Edi Ramës.
Tubimi nis në orën 17:00 dhe shihet si një “provë force” nga opozita, pas protestës së fundit më 22 dhjetor 2025 dhe foltoreve të përjavshme para Kryeministrisë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mobilizuar strukturat dhe qytetarët duke e cilësuar këtë protestë si “ditën e gjyqit qytetar” ndaj qeverisë së korruptuar dhe të lidhur me botën e krimit. “Sot është dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Sot është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, deklaroi Berisha në mesazhin e tij për qytetarët.
Sipas tij, vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kërkesa kryesore e protestës është rrëzimi i qeverisë aktuale dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana tjetër, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në alarm. Rreth 1350 forca policore janë angazhuar për të menaxhuar protestën, përfshirë repartet e FNSH-së, Shqiponjat dhe njësitë e rendit publik. Policia ka paralajmëruar për rrezikshmëri të lartë dhe mundësi për përplasje gjatë tubimit. Efektivët janë pajisur me maska kundërgaz, ndërsa janë vendosur në gatishmëri edhe pesë autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës në rast incidentesh. “I bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që cenon rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.
Alarmin për tensione e ka ngritur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila i ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të shmangin zonën e protestës dhe të ndjekin me kujdes zhvillimet. “Protestat mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por situata mund të përshkallëzohet papritur. Qëndroni vigjilentë dhe jepni përparësi sigurisë tuaj personale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës. Po ashtu, personelit të ambasadës i është kërkuar të shmangë zonën nga Sheshi Skënderbej deri tek Sheshi Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë, ku do të zhvillohet protesta.
PD shpreson që protesta e sotme të jetë një sinjal i fortë për ndërkombëtarët dhe vendimarrësit politikë në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje do të sjellë efekt real në jetën politike të vendit, apo do të mbetet një tjetër akt simbolik në përballjen e gjatë opozitë-qeveri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje