TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Janar 2026, 08:37

PD protestë para Kryeministrisë, policia 'bëhet gati' për tensione

Shkruar nga Pamfleti
PD protestë para Kryeministrisë, policia 'bëhet gati'
Berisha në protestë

Policia ka publikuar edhe planin e masave për tubimin e PD.

Ditën e sotme bulevardi "Deshmorët e Kombit" do të kthehet në skenë për protestën kombëtare të Partisë Demokratike, e thirrur nga kreu i saj, Sali Berisha.

Protesta do të zhvillohet në orën 17:00. Sipas opozitës, qëllimi i tubimit është të kërkohet krijimi i një qeverie teknike, që të përgatisë zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme. Kjo vjen pas protestës së fundit të dhjetorit dhe foltoreve që opozita zhvillon çdo të hënë para Kryeministrisë.

Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrie aktive. Ai tha se protesta e të shtunës është prova e madhe për opozitën dhe luftën e saj për rrëzimin e Edi Ramës.

"Është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit gytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste deri sot", tha ai.

Më tej, Berisha, i bëri thirrje Ramës që të qëndrojë në zyrë dhe të presë qytetarët që do marshojnë drejt Kryeministrisë. 

"Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë. Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë", deklaroi Berisha.

Ndërkohë, policia ka publikuar edhe planin e masave për tubimin e PD.

Policia ka paralajmërëruar tensione dhe I ka bërë apel qytetarëve që të distancohen nga akte që cënojnë sigurinë publike.

“Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Njoftimi zyrtar nga Policia

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, i cili nis në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Lini një Përgjigje