
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi jashtë Kuvendit se procesi i integrimit europian të Shqipërisë po hyn në një fazë të rëndësishme, ndërsa nesër raporti i piketave të ndërmjetme pritet të kalojë në Komitetin e Përfaqësuesve dhe javën e ardhshme do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare.
Balla theksoi se Shqipëria është vlerësuar nga Gjermania si një model për reformën në drejtësi, procesin e vettingut dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
“U identifikuan më shumë se 92 hendeqe që duheshin adresuar dhe ‘Themeloret’ në historinë e BE janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, por në rastin e Shqipërisë, dua të citoj fjalë për fjalë vlerësimin nga Gjermania, thuhet që Shqipëria me reformën në drejtësi, vettingun, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një model për vendet e tjera që aspirojnë”, deklaroi Balla.
Sa i takon diskutimeve për anëtarësimin gradual në Bashkimin Europian, ai tha se kjo nuk përbën rrezik për Shqipërinë dhe se objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet i pandryshuar.
“Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne. Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027 përputhet me programin e dakordësuar”, u shpreh ai.
Balla sqaroi se pas mbylljes së negociatave, procesi kalon në fazën e ratifikimit nga vendet anëtare të BE-së, një procedurë që mund të kërkojë votim në parlamente apo edhe referendume.
Ai foli edhe për përfshirjen e opozitës në procesin e integrimit, duke u zotuar për bashkëpunim politik në këtë rrugë.
“Do të bëj gjithçka që opozita të ketë hapësirën e vet. Në 17-18 qershor do të miratohet raporti në PE. Ndoshta do të ishte mirë që atë ditë të jemi një delegacion i përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës”, tha Balla.
Lini një Përgjigje