TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Qershor 2026, 11:04

Presidenti Begaj dekreton Amnistinë Penale, lirohen nga burgu 466 të dënuar 

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti Begaj dekreton Amnistinë Penale, lirohen nga burgu 466 të
Presidenti Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi këtë të martë Amnistinë Penale, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të një prej akteve më të rëndësishme të miratuara së fundmi nga Kuvendi.

Ligji u votua në seancën plenare të 18 qershorit me 84 vota pro dhe parashikon që nga amnistia të përfitojnë në total 1335 të dënuar.

Sipas ligjit të miratuar me votat e Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate, 466 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, mes tyre 11 gra dhe 1 i mitur. Ndërkohë, 869 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit, përfshirë 8 gra dhe 1 të mitur. Amnistia penale do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

"Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 375, datë 30.6.2026, dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 57/2026, 'Për dhënie amnistie'.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 59/2026, 'Për sektorin e energjisë elektrike', si dhe ligjin nr. 60/2026, 'Për informacionin elektronik të transportit të mallrave", njoftoi pPresidenca.

Ligji parashikon se nga lirimi i plotë përfitojnë, ndër të tjerë, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç, si edhe personat që kanë qenë të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale.

Për të dënuarit që nuk plotësojnë kushtet për lirim, amnistia sjell ulje të dënimit. Burrave u zbritet një vit burg, ndërsa grave dhe të miturve një vit e gjysmë.

Amnistia prek gjithashtu një pjesë të procedimeve penale që janë ende në hetim ose në proces gjykimi për vepra me rrezikshmëri më të ulët, për të cilat parashikohet një dënim maksimal deri në tre vite burg.

Ligji përjashton nga përfitimi personat që i janë shmangur drejtësisë, të arratisurit dhe ata që fshihen nga organet ligjzbatuese. Jashtë amnistisë mbeten gjithashtu të dënuarit për vrasje, krime kundër njerëzimit, krime seksuale, terrorizëm, trafik droge, krim të organizuar, korrupsion, krime zgjedhore dhe vepra të tjera penale me rrezikshmëri të lartë.

Një nga kufizimet kryesore të ligjit është se asnjë person që hetohet ose gjykohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk do të përfitojë nga amnistia. Po ashtu, nuk përfitojnë as personat e dënuar me burgim të përjetshëm.

begaj miraton amnistine penale

Lini një Përgjigje