TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Qershor 2026, 11:05

Mijëra kërkojnë dorëheqjen, Rama sfidon protestuesit: Shëmbëlltyra e zezë do të thërrmohet

Shkruar nga Pamfleti
Mijëra kërkojnë dorëheqjen, Rama sfidon protestuesit:
Edi Rama perballe protestes

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e 31, ku mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e Kreut të Qeverisë.

Po pavarësisht kësaj, në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Rama shkruan se nga e gjithë kjo vorbull, sikundër konsideron ai protestat, shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin.

Rama flet për keqpërdorimin që po i bëhet qytetarëve në protestë, madje paralajmëron se shëmbëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërrmohet në çika.

Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre. Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë

Ndërsa korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është:

Shëmbëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve. Por e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin

Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shëmbëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërrmohet në çika…”, shkruan Rama.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri reagon ndaj protestave që nisën në 31 maj dhe vijojnë pa u ndalur çdo pasdite në Tiranë. Protestat janë mbështetur nga Diaspora, e cila pritet të zbarkojë në kryeqytetin shqiptar më 4 korrik, ndërsa në ditët e fundit janë organizuar me dhjetra tubime në qytetet europiane ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë, kundër Edi Ramës dhe klasës politike që sipas protestuesve ka marrë peng zhvillimin e vendit në 35 vjet.

Protestat kanë kapur të papërgatitur Kryeministrin, i cili në ditët e para u shfaq i hutuar, por më pas deklaroi se nuk ka ndërmend të dorëzojë “timonin” e Qeverisë pasi ka një kontratë me mbi 800 mijë shqiptarë që i dhanë votën në zgjedhjet e 11 majit 2025. Rama ka hedhur akuza se pas protestave qëndrojnë vendet armiqësore të Shqipërisë, edhe pse deri më tani nuk ka paraqitur fakte dhe prova për të provuar një pretendim të tillë.

Protestat kanë gjetur jehonë në mediat ndërkombëtare, madje në jo pak raste protestat janë transmetuar “live” nga mediat më prestigjoze botërore.  

 

 

rama protesta reagimi

Lini një Përgjigje