TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2026, 15:35

Kardiologët ngrenë alarmin: Vapa mund të rëndojë sëmundjet e zemrës, simptomat që nuk duhen neglizhuar

Shkruar nga Pamfleti

Kardiologët ngrenë alarmin: Vapa mund të rëndojë

Qershori po mbyllet me temperatura mbi mesataren mujore, ndërsa parashikimet meteorologjike tregojnë se moti i nxehtë do të vijojë edhe gjatë muajve në vazhdim. Në këto kushte, kardiologët apelojnë për kujdes të shtuar, pasi temperaturat e larta mund të rëndojnë gjendjen e pacientëve me sëmundje të zemrës dhe të nxjerrin në pah probleme shëndetësore të padiagnostikuara.

Sipas mjekëve, personat që vuajnë nga insuficienca kardiake, sëmundjet e arterieve koronare apo hipertensioni duhet të monitorojnë me kujdes gjendjen e tyre dhe të reagojnë menjëherë nëse shfaqin simptoma të pazakonta.

"Nëse kanë ankesa shtesë, si lodhje të përgjithshme, marramendje ose shtim të pulsit, takikardi, menjëherë duhet të drejtohen te mjeku, se janë ankesa që vështirësojnë diagnozën e tyre të mëparshme. Gjithmonë flasim për pacientë që vuajnë nga insuficienca kardiake apo e arterieve koronare. Edhe ata që vuajnë nga hipertensioni mund të kenë ulje ose rritje të presionit arterial", u shpreh kardiologia.

Specialistja rekomandon që pacientët të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin ekspozimin e gjatë në diell dhe të respektojnë trajtimin mjekësor.

"Të rrinë në mjedise të freskëta, por jo në korente, se kjo mund të vështirësojë diagnozën e tyre. Duhet të jenë korrektë me medikamentet dhe të bëjnë matje të shpeshta të presionit arterial, pulsit dhe sheqerit në gjak. Vëmendje të veçantë dietës ushqimore, duke marrë ushqime të pasura me magnez dhe kalium", theksoi ajo.

Kardiologët paralajmërojnë gjithashtu se temperaturat ekstreme mund të zbulojnë sëmundje të fshehura tek persona që nuk janë diagnostikuar më parë.

"Ata që nuk janë ekzaminuar, se faktorët e riskut kardiovaskular janë të fshehur, tensioni nuk ka shenja, yndyrnat nuk kanë shenja… Nëse janë persona të padiagnostikuar, një situatë e tillë me temperatura shumë të larta do të na nxjerrë në pah defektet që ka ky njeri, duke manifestuar me shtim pulsi, pse jo edhe dhimbje gjoksi", tha kardiologia për "Abc News".

Sipas saj, humbja e lëngjeve nga djersitja e tepërt mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve serioze.

"Djersitja e tepërt bën që të dalë uji në vaza dhe elementët e gjakut, duke u kombinuar me faktorë risku, do të na sjellë dhimbje gjoksi, rritje të presionit arterial, pse jo edhe infarkt miokardi", paralajmëroi kardiologia.

Mjekët këshillojnë qytetarët të kufizojnë lëvizjet gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të shmangin ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, si futja në ujë të ftohtë pas një qëndrimi të gjatë në diell. Sipas tyre, më të rrezikuar nga temperaturat e larta mbeten të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe fëmijët.

Lini një Përgjigje