Gjermania e mbylli në mënyrë zhgënjyese aventurën e saj në Kupën e Botës, pas një paraqitjeje nën pritshmëri gjatë turneut. Sipas legjendës së futbollit gjerman, Lotar Mateus, rezultatet e dobëta nuk lidhen vetëm me atë që ndodhi në fushën e lojës, por edhe me situatat e krijuara jashtë saj.
Në një intervistë për "Bild", Mateus zbuloi se gjatë grumbullimit në SHBA kishte pakënaqësi dhe debate të vazhdueshme, të lidhura kryesisht me praninë e familjarëve të futbollistëve.
"Ka shumë gjëra që duhen marrë në konsideratë në fushën e lojës dhe jashtë saj. Gra, familjarë, të gjithë ishin të përfshirë. Kishte shumë gjëra dhe nuk e kuptoj se pse duheshin përfshirë familjet që në start", deklaroi Mateus.
Sipas tij, problemet nuk u kufizuan vetëm te familjarët, por përfshinë edhe organizimin e udhëtimeve dhe akomodimit, duke krijuar tensione mes lojtarëve.
"Pastaj kishte edhe diskutime rreth udhëtimit, rezervimit të hoteleve. Kishte diskutim pas diskutimi brenda ekipit. Nuk ishin gjëra që shfaqeshin në media, por kishte diskutime të vazhdueshme në ekip. Një lojtar ishte i inatosur me një tjetër pasi e ëma e një lojtari u lejua të udhëtonte me ekipin. Ndërsa nuk u lejuan gruaja dhe fëmijët e tjetrit. Të tjerët u desh të fluturonin me avion komercial", u shpreh ai.
Mateus shtoi se këto situata krijuan një atmosferë të papërshtatshme brenda skuadrës, duke vlerësuar se fokusi i ekipit nuk ishte plotësisht te objektivi sportiv.
"Si përfundim kishte shumë situata të parehatshme të cilat nuk u bënë publike. Por përtej kësaj, fokusi nuk ishte thjesht te Kupa e Botës. Ishte një ditë me familjen pas një dite me familjen. Ata as nuk kishin kaluar dy javë në SHBA dhe menjëherë ishin me familjet e tyre. Në vend që t'i sillnin për çerekfinalet nëse ekipi do të kishte arritur diçka", përfundoi legjenda gjermane.
Lini një Përgjigje