TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi30 Qershor 2026, 17:27

Pas krizës së naftës do të vijë ajo e bankave? Parashikimi tronditës i ekspertit amerikan

Shkruar nga Pamfleti

Kriza në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja shumë më të gjera sesa luhatjet e çmimeve të energjisë. Sipas analistit amerikan Martin Armstrong, tensionet gjeopolitike rrezikojnë të nxisin një efekt domino që do të godasë sistemin bankar ndërkombëtar dhe borxhin sovran...

Pas krizës së naftës do të vijë ajo e bankave?

Një tronditje e re financiare globale duket se po merr formë, e lidhur ngushtë me zhvillimet në Iran dhe rrezikun në tregun e naftës. Sipas modelit kompjuterik “Sokrati”, të zhvilluar nga analisti i njohur financiar dhe gjeopolitik Martin Armstrong, ka nisur një efekt domino që nuk do të kufizohet vetëm te sektori i energjisë, por do të përhapet edhe në sistemin bankar dhe tregjet globale të borxhit.

Sipas Armstrong, pyetja nuk është më nëse do të ketë turbulenca financiare, por sa të rënda do të jenë ato. Ai kujton se në muajin maj kishte paralajmëruar se Irani mund të godiste Emiratet e Bashkuara Arabe me synimin për të shkaktuar një kolaps financiar.

Më pas, nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi (MOU) mes SHBA-së dhe Iranit krijoi përshtypjen se tensionet po shkonin drejt uljes. Në atë periudhë, çmimi i naftës ra nën 70 dollarë për fuçi dhe u krijua bindja se një armëpushim 60-ditor mund të hapte rrugën drejt stabilizimit.

Megjithatë, sipas tij, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Sulmet iraniane, kundërpërgjigjja e SHBA-së dhe përshkallëzimi i konfliktit tregojnë se kriza është larg përfundimit. “Irani nuk është budalla. Gjatë pandemisë së Covid-19, çmimi i naftës zbriti në 6,50 dollarë për fuçi, nën koston e prodhimit. Qeveritë u detyruan të merrnin hua për të mbijetuar dhe ai borxh ekziston ende. Me fjalë të tjera, një krizë e borxhit sovran mund të nisë në Lindjen e Mesme”, shprehet Armstrong.

Ai shton se perceptimi se vendet e Gjirit janë të mbushura me para nuk përputhet më me realitetin. “Njerëzit besojnë se Lindja e Mesme ka burime të pafundme financiare, por kjo nuk është e vërtetë. Edhe ato vende janë të ngarkuara me borxhe. Irani po godet rafineritë e shteteve të Gjirit dhe po synon Ngushticën e Hormuzit. Ata e dinë se SHBA-ja është kryesisht e vetëjaftueshme në energji, ndërsa ndikimi më i madh do të ndihet në Evropë dhe Azi.”

Sipas Armstrong, objektivi kryesor është dobësimi financiar i vendeve të Gjirit.

“Nëse ato nuk arrijnë të eksportojnë naftë, nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë kreditë. Mosshlyerja e kredive mund të shkaktojë një krizë bankare që do të përhapet deri në Londër. Situata është shumë më komplekse nga sa mendojnë shumica e njerëzve. Donald Trump e kupton se rreziku shkon shumë përtej Ngushticës së Hormuzit apo çmimit të naftës.”

Marrëveshja e paqes mbetet e largët

Armstrong shprehet skeptik edhe për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje me Iranin.

“Nuk do të ketë një marrëveshje paqeje me Iranin, pasi interesat e palëve janë të papajtueshme. Trump po përpiqet të mbajë distancë për shkak të zgjedhjeve të mesit të mandatit, ndërsa Benjamin Netanyahu ka nevojë për një fitore politike për të siguruar mbështetjen e elektoratit.”

Sipas tij, opozita në Izrael po e shton presionin ndaj Netanyahut, duke argumentuar se ai nuk ka arritur përfitime konkrete nga kriza. “Nëse pranon paqen, praktikisht humbet zgjedhjet. Sondazhet tregojnë se 61 për qind e izraelitëve janë kundër tij”, thotë Armstrong.

Për këtë arsye, ai nuk pret arritjen e një marrëveshjeje me Iranin gjatë pjesës së mbetur të vitit, duke vlerësuar se tensionet mund të vazhdojnë deri në vitin 2027.

Sa i përket tregjeve, Armstrong parashikon luhatje të forta si për naftën, ashtu edhe për arin. “Lindja e Mesme ndodhet në kaos. Çmimi i naftës mund të rritet sërish pas një minimumi të mundshëm në korrik, ndërsa ari mund të gjejë fundin e korrigjimit gjatë kësaj jave dhe të rifillojë rritjen në muajin gusht.”

Në fund, ai përsërit bindjen e tij se Partia Demokratike në SHBA po përballet me një proces të thellë përçarjeje, ndërsa për Evropën parashikon një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve me Rusinë.

Sipas Armstrong, “ekziston një klimë që favorizon luftën për shkak të problemeve të rënda ekonomike”, ndërsa paralajmëron se tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë do të intensifikohen, duke pretenduar se presidentit Volodymyr Zelensky i është dhënë “drita jeshile” për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit./Pamfleti nga “Bankingnews”

kriza e naftës kriza e bankave

Lini një Përgjigje