“Ka vepra që nuk plaken kurrë. Vetëm presin momentin e duhur për t’u rikthyer.”, shkruan Rozana Radi.
Me këto fjalë është paralajmëruar rikthimi në skenë i komedisë së njohur shqiptare “8 Persona +”, e cila konsiderohet tashmë pjesë e fondit të artë të dramaturgjisë shqiptare dhe që ndër vite ka marrë duartrokitje të shumta nga publiku.
Vepra, e shkruar nga Ferdinand Radi, rikthehet këtë herë për një publik të ri, duke ruajtur frymën origjinale, por tanimë në ‘duart’ e vajzave të tij: Andeta dhe Rozana Radi.
“Për mua është një emocion i veçantë të jem pjesë e kësaj historie, këtë herë si aktore, në rolin e Memit. Një rol që e mbaj me shumë përgjegjësi, por mbi të gjitha me dashuri, sepse është pjesë e trashëgimisë artistike të familjes sonë”, thuhet në postimin e Rozit.
Pas tre dekadash, “8 Persona Plus”, ngjitet sërish në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, këtë herë nën regjinë e vajzës së tij, Andeta Radi.
Premiera do të mbahet më 4 korrik, pikërisht në teatrin ku Ferdinand Radi e solli me shumë pasion këtë komedi vite më parë. Një vepër që ka bërë shqiptarët të qeshin brez pas brezi, por që përtej humorit mbart një ironi të hollë dhe një tematikë që edhe sot mbetet po aq aktuale.
Rikthimi i veprës shihet edhe si një homazh për artistët që i kanë dhënë jetë ndër vite, në veçanti për aktorin e paharruar Roland Trebicka, si dhe për të gjithë kastin që e ka kthyer këtë komedi në një nga më të dashurat e teatrit shqiptar.

Lini një Përgjigje