Policia irakiane zhvilloi një operacion të gjerë kundër korrupsionit, gjatë të cilit, sipas raportimeve të mediave, u zbulua pasuri me vlerë të jashtëzakonshme në banesën e deputetes Hind Al Abbasi.
Sipas informacioneve të publikuara, gjatë kontrollit në banesën e saj u sekuestruan 57 milionë dollarë amerikanë në para të gatshme dhe 27 kilogramë ar të pastër. Raportimet përmendin gjithashtu se mes sendeve të gjetura kishte edhe të brendshme të punuara prej ari, megjithëse nuk është e qartë nëse ato përfshihen në inventarin zyrtar të sendeve të sekuestruara. Autoritetet gjyqësore po vazhdojnë hetimet dhe kanë zgjeruar fushën e tyre.
Operacioni çoi në arrestimin e gjithsej 47 personave të dyshuar, mes tyre deputetë dhe zyrtarë të lartë të administratës shtetërore. Forcat e sigurisë kryen bastisje të koordinuara në orët e para të së dielës në disa zona të vendit, me fokus kryesisht në Bagdad.
Emri i Hind Al Abbasit vazhdon të figurojë në faqen zyrtare të Parlamentit të Irakut, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht në detaje listën e sendeve të sekuestruara që raportojnë mediat.
Operacioni po zhvillohet nën drejtimin e qeverisë së kryeministrit Ali al-Zaidi, i cili ka deklaruar se nuk do të ketë tolerancë ndaj abuzimit me fondet publike.
Në një çështje tjetër paralele, Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut njoftoi se gjatë hetimeve ndaj një ish-zëvendësministri të Naftës janë sekuestruar rreth 10 milionë dollarë, 3 miliardë dinarë irakianë, sende me vlerë, armë të rënda dhe 40 prona të paluajtshme. Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se provat e mbledhura mund të çojnë në një valë të re marrjesh në pyetje në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje