Ish-kryeministri Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke e kritikuar për politikat ndaj fermerëve dhe situatën ekonomike në vend.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vuri në pikëpyetje angazhimin e mazhorancës për problemet e qytetarëve.
“Çfarë seance bëni ju për hallet e qytetarëve, kur ai thoshte: ‘Ne marrim rrugët e dheut, se ju vidhni’. Si mund të flisni për hallet e popullit dhe të organizoni edhe seancë?!”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se vendimet e qeverisë kanë rënduar situatën e fermerëve, veçanërisht në një kohë rritjeje të çmimeve të energjisë.
“Si mund të flisni ju kur jeni e vetmja qeveri në Europë, e cila në kulmin e çmimeve të naftës dhe gazit, iu hiqni fshatarëve subvencionet për naftën?! A ka cinizëm më të madh se ky? A ka akt më të papërgjegjshëm?”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, këto politika rrezikojnë jo vetëm falimentimin e sektorit bujqësor, por edhe largimin e fermerëve jashtë vendit.
“Kjo është një politikë jo vetëm e falimentimit të fermerëve, por edhe e largimit të tyre. Ju vidhni, kurse ata marrin rrugët e dheut. Irlandën, Australinë, Alaskën, vendet më të largëta”, tha ai.
Kryedemokrati krahasoi situatën në Shqipëri me vendet e tjera të rajonit dhe Evropës, duke pretenduar se fermerët shqiptarë trajtohen më keq.
“Si ka mundësi që në kulmin e shtrenjtimit të naftës, i thoni atyre se i hoqët edhe subvencionet e naftës, subvencionin të cilin e kanë të gjitha vendet përreth?! E shet me 1 mijë e 500 në pompë Maqedonia, por fermerëve ia jep me çmim ndër 1 mijë. Po kështu çdo vend europian”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim të fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë.
“Këta fermerë të tjerë marrin qindra milionë taksa, kurse ju i vodhët të gjitha paratë e IPARD-it. Të vetmit në rajon që nuk marrin nga IPARD-i”, deklaroi Berisha.
Lini një Përgjigje