Ish deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar për tragjedinë e ndodhur në Durrës, kur një shofer i dehur përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër.
Në një postim në rrjete sociale, ai shpreh ngushëllime për jetët e humbura dhe thotë se shteti po sfidohet çdo ditë nga të fortët duke rrezikuar jetët e njerëzve.
“Ky nuk është një aksident i rastësishëm. Është pasojë e një shoqërie që çdo ditë bëhet më e pafuqishme për të reaguar. Në autostrada, në rrugët e qyteteve, në vijat e bardha, në pedonale, ‘të fortët’ sfidojnë ligjin dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve. Heshtja ndaj tyre është bashkëfajësi, tolerimi është degradim, është turp,” deklaroi Salianji.
Ai shprehu kritika të ashpra ndaj institucioneve dhe shtetit, duke thënë se “shteti është i fortë me të dobëtit dhe i përkulur përballë të fortëve. Ndëshkon qytetarin e zakonshëm, por mbyll sytë kur ligji shkelet nga ata që ndihen mbi të ose që vlejnë për një grusht votash.”
Salianji theksoi nevojën për më shumë se ndryshime ligjore sipërfaqësore.
“Na duhet zbatim i ligjit, barazi para ligjit, ndëshkim real për ata që drejtojnë të dehur dhe përsërisin krimin. Na duhet përgjegjësi për ata që projektojnë dhe ndërtojnë rrugë e trotuare të pasigurta. Na duhen standarde në rrugë, në qytet, në çdo hapësirë publike. Na duhet parandalim, sepse ndëshkimi pas tragjedisë nuk kthen jetët e humbura.”, thotë ish deputeti.
Deputeti përfundoi me shprehjen e ngushëllimeve më të sinqerta për familjet e prekur dhe me lutjen për shërimin e fëmijës që po lufton për jetën.
Lini një Përgjigje