
Ferit Hoxha, ministër i Jashtëm, gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, tha se objektivi që ka Shqipëria është anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian në 2030. Hoxha ka mohuar pretendimet e bëra nga opozita për bllokim negociatash me BE-në, ndërsa tha se procesi vijon normalisht, në përputhje me planet e bashkëpërcaktuara me BE. Madje Hoxha ka deklaruar se asnjë prej vendeve të BE-së nuk ka vendosur veto në raport me Shqipërinë.
“Në debatin publik është pretenduar mëse një herë se procesi është bllokuar, se vende të caktuara kanë vënë veto (pretendohej për 9 të tilla) apo se Shqipëria nuk po avancon më. Duke mirëkuptuar interesin e veçantë për këtë proces dhe respektuar debatin publik pavarësisht qasjes, dëshiroj ta them qartë dhe me përgjegjësi: këto pretendime nuk qëndrojnë.
Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt.
Objektivi ynë është i qartë: të bëjmë pjesën tonë me seriozitet dhe të ecim përpara në përputhje me ambicien tonë dhe planin e përbashkët me Komisionin Evropian, duke iu afruar çdo ditë e më shumë realizimit të synimit tonë strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian në horizontin 2030”, tha Hoxha.
Në vijim të raportimit, ministri i Jashtëm u shpreh se tashmë prioritet mbetet kalimi i pikave të ndërmjetme IBAR, për të cilat ende nuk ka një vendim nga Brukseli. Ai theksoi se raporti që i është dorëzuar Këshillit të BE-së nga Komisioni, për Vlerësimin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ka qenë pozitiv për Shqipërinë.
“Ajo që dimë me siguri është se rekomandimet e Komisionit për Këshillin kanë qenë pozitive, duke njohur progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave, si dhe duke rekomanduar vijimin e procesit drejt miratimit të tyre”, theksoi Hoxha.
halli nuk eshte nese ka veto nga ndonje vend, halli eshte qe ne nuk jemi as shtet as vend normal,,pallavra