TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Maj 2026, 10:36

Ballkani si fushëbetejë: Pse investimet energjetike amerikane po acarojnë Brukselin?

Shkruar nga Rikard Jozwiak

 Ballkani si fushëbetejë: Pse investimet energjetike amerikane po

SHBA-ja po anashkalon rregullat e Bashkimit Evropian për të firmosur marrëveshje miliardash që e shkëputin Ballkanin nga gazi rus. Por kjo ofensivë direkte e administratës Trump ka krijuar një përplasje të hapur me Brukselin, duke i vendosur projektet strategjike përballë burokracisë evropiane...

Që kur presidenti amerikan Donald Trump mori detyrën vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Brukseli janë përplasur për tregtinë, mbështetjen ndaj Ukrainës dhe shpenzimet ushtarake. Tani është hapur një front i ri: Ballkani Perëndimor.

Të vendosura në mënyrë unike në kryqëzimin e interesave të BE-së dhe SHBA-së, por edhe të ndikimit rus e kinez, vendet e rajonit kanë tërhequr vëmendjen e fuqive të mëdha botërore, duke nxitur një garë për të përfituar nga statusi i tyre në zhvillim, dobësitë strukturore dhe ekonomitë e brishta.

Kjo shfaqet më qartë se kudo në marrëveshjet e fundit të investitorëve amerikanë në projekte energjetike në Shqipëri, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë - vende që synojnë t’i japin fund varësisë nga furnizimet ruse.

“Presidenti Trump po hap një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore” - u tha gazetarëve Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, në forumin e biznesit të Nismës së Tri Deteve në Dubrovnik të Kroacisë.

Përplasja e axhendave u bë e dukshme javën e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara nisën investimin e tyre publik më të madh në vite në Ballkanin Perëndimor, duke nënshkruar disa marrëveshje shumëmiliardëshe për eksportin e gazit dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri, Bosnjë dhe Kroaci.

Projekti kryesor është gazsjellësi prej 1.5 miliardë dollarësh “Southern Interconnection” mes Bosnjës dhe Kroacisë, i cili lidh të parën si me terminalin kroat të gazit të lëngshëm natyror në ishullin Krk, ashtu edhe me rrjetet më të gjera pan-evropiane të gazit.

“Ekziston vetëdija se ky rajon ka sërish një rëndësi të lartë strategjike, dhe sa më shumë të bësh shpallje të bujshme, aq më shumë provokon reagime nga Moska, nga Pekini, madje edhe nga disa qarqe në Evropë” - tha për RFE/RL një këshilltar i Kongresit amerikan i njohur me diskutimet.

Një tjetër zyrtar shtoi: “Strategjia është të lëvizësh kapitalin dhe projektet më shpejt sesi mund të reagojë politika. Nëse gjithçka e paraqet si garë gjeopolitike, e ngadalëson; por nëse e quan investim dhe infrastrukturë, përparon”.

Bosnja, një nga vendet më të varfra të Evropës, ka nevojë për zhvillime të shpejta. Aktualisht ajo është plotësisht e varur nga lëndët djegëse fosile ruse, të importuara përmes gazsjellësit TurkStream.

Ndërkohë, terminali i Krk-ut është një kanal kyç për hyrjen e gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) në kontinentin evropian, dhe marrëveshja e bashkënënshkruar nga SHBA-ja pritet të sigurojë furnizime edhe më të mëdha për rajonin.

Vendet e Ballkanit duket se po i drejtohen SHBA-së pas vitesh dështimi për të siguruar financimet e nevojshme nga Evropa. “Investimet e ulëta kanë qenë një plagë e kahershme për Ballkanin” - thotë David J. Kostelancik, studiues në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

Ai thekson se “siguria energjetike në Evropën Juglindore nuk është më një çështje periferike ekonomike, por një shqetësim thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA-së”.

“Duke e përqendruar angazhimin diplomatik dhe duke lehtësuar financimin, SHBA-ja mund të rrisë investimet në një sektor energjetik që forcon konkurrueshmërinë dhe garanton sigurinë, përfshirë sigurinë kibernetike dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve që zbulojnë përpjekjet e aktorëve dashakeqë për të fituar ndikim” - nënvizon ai.

Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni mbështesin shkëputjen e Ballkanit nga “kordoni kërthizor” energjetik rus. Por politika energjetike po ndërthuret tashmë edhe me garën për ndikim, duke i vendosur përballë njëra-tjetrës dy kryeqendrat.

Për t’i hapur rrugën marrëveshjes së gazsjellësit, Bosnja ndryshoi legjislacionin duke caktuar një kompani private amerikane, ASFS Infrastructure and Energy, si investitorin dhe zhvilluesin kryesor.

Sipas të dhënave të kompanisë, drejtori i saj është Jesse Binnall, ish-anëtar i ekipit ligjor të Donald Trumpit, ndërsa zëvendëspresidenti Joseph Flynn është vëllai i ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare Michael Flynn.

Ligji i ri përjashtoi procesin e hapur të tenderimit, duke e acaruar Brukselin dhe duke nxitur Transparency International të paralajmërojë për një “precedent të rrezikshëm”.

Në një letër të datës 13 prill, ambasadori i BE-së në Sarajevë, Luigi Soreca, paralajmëroi se legjislacioni i posaçëm për projektin mund të rrezikojë qasjen e Bosnjës në tregun energjetik evropian, si dhe rreth 1 miliard euro fonde nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Bosnja është pjesë e Komunitetit Energjetik të BE-së, që shtrin ligjet e saj në këtë fushë te vendet aspirante. Edhe pse është vend kandidat që nga viti 2022, nuk ka shenja se anëtarësimi është i afërt, ndërsa Brukseli kritikon shpesh mungesën e reformave të brendshme.

Zyrtarët boshnjakë argumentojnë se marrëveshja me investitorët amerikanë synon gjithashtu përmbushjen e objektivit të BE-së për ndërprerjen e importeve të energjisë ruse deri më 1 janar 2028.

Kjo është një sfidë e madhe për Bosnjën, e cila nuk prodhon gaz dhe varet plotësisht nga Rusia, që e furnizon me rreth 225 milionë metra kub gaz në vit. Teksa perspektiva e anëtarësimit në BE duket e largët, Bosnja duket se ka zgjedhur të injorojë paralajmërimet e Evropës për të “shqyrtuar me kujdes detyrimet”, duke ecur përpara me investimet amerikane.

Madje ajo iu bashkua një nisme amerikane për forcimin e furnizimit energjetik rajonal, ndërsa ministri i Jashtëm, Elmedin Konakoviç, theksoi rëndësinë ekonomike të kësaj lëvizjeje. “Kjo pjesë e Evropës po rikthehet te arsyeja e shëndoshë. Rruga drejt zhvillimit kërkon më shumë dhe jo më pak energji” - tha Wright.

Interesi ekonomik amerikan në rajon është nxitur më tej nga miratimi në Kongres në shkurt i Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, i cili synon, ndër të tjera, thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Javën e kaluar, Prishtina priti një konferencë investitorësh amerikanë me synim tërheqjen e bizneseve në projekte si një stacion i ri autobusësh, një spital, ndërtimi i një unaze rrugore dhe objekte sportive. Grupi amerikan Pantheon Atlas ka nënshkruar një marrëveshje paraprake për ndërtimin e një qendre të madhe të inteligjencës artificiale dhe të dhënave në Kroaci.

Ndërkohë, në Tiranë, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje 20-vjeçare për furnizimin me LNG amerikan, me vlerë 6 miliardë dollarë, duke lidhur kompaninë vendase Albgaz me firmën amerikane Venture Global dhe kompaninë greke Aktor.

Zyrtarë anonimë thanë se në të ardhmen priten edhe zhvillime të tjera. Ata shtuan se, ndonëse fokusi aktual është në Shqipëri, Bosnjë dhe Kroaci, kjo politikë ka qartësisht ambicie rajonale.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shihen si hapa të radhës, ndërsa Uashingtoni synon të ndërtojë një korridor më të integruar energjetik dhe dixhital në gjithë Ballkanin Perëndimor./Pamfleti nga “Radio Free Europe”

ballkani si fushëbetej investime energjitike amerikane brukseli

Lini një Përgjigje