
Ngjarja tragjike në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një i tretë mbeti i plagosur rëndë, ka sjellë reagime të forta nga politika dhe opinioni publik.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi autorin e ngjarjes si “terrorist”, the theksoi se ajo që ndodhi nuk mund të konsiderohet thjesht një aksident rrugor.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai u shpreh se drejtuesi i mjetit nuk ishte një shofer i zakonshëm, por një person që ka kryer një akt të rëndë.
“Ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në një timon, por një terrorist!”, shkruan Balla në një postim në rrjetet sociale.
Tre fëmijët ndodheshin në trotuar kur një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe i përplasi. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit braktisi automjetin dhe u largua nga vendngjarja. Policia e ka arrestuar autorin, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi duke ngritur shqetësimin për mënyrën e raportimit në media. Ajo u shpreh se "informimi është detyrim, por dinjiteti njerëzor është kufiri që nuk duhet kaluar".
Tabaku i bëri thirrje Autoritetit të Mediave Audiovizive të ndërhyjë për të ndaluar transmetimin e pamjeve të rënda dhe për të garantuar respektimin e standardeve etike në raportim.
“Tragjedia në Durrës, me humbjen e dy jetëve të dy fëmijëve të pafajshëm, ka tronditur të gjithë. Edhe më mizor është transmetimi pa filtër i pamjeve të aksidentit që u mori jetën. Dhimbja nuk mund të kthehet në spektakël”, shprehet Tabaku.
Gjithashtu, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas tragjedisë së ndodhur në Durrës.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe e cilësoi ngjarjen jo si aksident, por si një akt të qëllimshëm, duke deklaruar se: “Kjo është vrasje me dashje, jo aksident”.
Deputeti publikoi edhe pamje nga momenti i përplasjes, duke theksuar se ato tregojnë qartë rëndësinë e ngjarjes dhe nevojën për reagim të menjëhershëm institucional.
Braçe u bëri thirrje kolegëve deputetë dhe institucioneve që të ndërhyjnë për ndryshime në Kodin Rrugor dhe atë Penal, në mënyrë që raste të tilla të trajtohen si krime të mirëfillta.
Sipas Braçes, vetëm ndëshkime të forta mund të frenojnë ngjarje të tilla, ndërsa kërkoi edhe masa konkrete për rritjen e sigurisë në zonat e banuara, përfshirë kufizimin real të shpejtësisë dhe krijimin e hapësirave të sigurta për fëmijët.
Deputet i PS theksoi se përgjegjësia e politikës nuk është vetëm të shprehë ngushëllime, por të ndërmarrë veprime konkrete.
"Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë, sot, ditën për diell! U vranë sepse vrasje është! Madje vrasje me dashje! Nuk është aksident por vrasje me dashje! Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë;
këto pamje!
E di e rëndë është; por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegë të mi deputet të çdo ane, për tu bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është, vraaaaaaaaaasjeeeeeeeeeee! Dhe duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë! Siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dysh e që edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kërkush; ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë! Mbase vetëm duke ndëshkuar kështu-siç për vrasje me dashje në rrugë, mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë!
Ndërkohë, kjo ngjarje më në fuuuuund të na shtyjë të mendojmë e veprojmë për urbanizim edhe më të thellë, përfshirë rrugë që e disfavorizojnë shpejtësinë në to, ndalime të shpejtësisë së makinave brenda lagjeve e jo vetëm tabela që një takëm i pështyjnë, mbylljen e rrugëve për t’i dhënë mundësi fëmijëve e të moshuarve të luajnë e lëvizin, pushojnë të sigurt, ndërtimin me çdo çmim të fushave e këndeve të sigurta për fëmijët e të moshuarit! I kemi votat për t’i bërë këto; i kemi me shumicë! Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani!", shkruan Erion Braçe.
Ngjarje shume e rende. Nuk ka ngushellim. Por i dashur Brace atje te pakten paskesh pasur trotuar po ne Tirane qe eshte qytet pa trotuare. Ju rrofshin kullat.