TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Maj 2026, 14:34

Pse “Marshalli” dhe “Skënderbeu” nuk lejojnë garat në PD e PS?

Shkruar nga Pamfleti
Pse “Marshalli” dhe “Skënderbeu” nuk lejojnë
Rama e Berisha

Zhvillimet e fundit në PD tregojnë se Berisha nuk duron dot idenë që dikush mund ta rivalizojë, qoftë edhe përkohësisht, ndërsa ai dhe rivali të konsiderohen si “kandidatë”…

Vëmendja kryesore në ditët e fundit, sa i takon zhvillimeve politike, është përqëndruar në atë që po ndodh në Partinë Demokratike me atë që duhej të ishte një garë zgjedhore për kreun e kësaj force. I vetmi që ka mbetur si opsion për zgjedhje është Sali Berisha, ndërsa ai që mund të ishte rivali i tij kryesor, Ervin Salianji, nuk u lejua as të futet në garë, me pretendimin e vetëpërjashtimit. Pak a shumë një situatë të ngjashme PD e ka përjetuar në 1999, kohë kur Genc Pollo, ndër më besnikët në atë kohë të Berishës, tentoi të garonte për kreun e PD-së, por jo vetëm u sulmua mediatikisht dhe politikisht, por e nxorrën dhumshëm nga gara, duke e shpallur armikun e rradhës, që i shtohej grupeve më mëparshme armiqësore.

Për këdo që njeh mënyrën se si organizohen dhe funksionojnë partitë në Shqipëri posti i kryetarit është pothuajse i paprekshëm nëse ai nuk dëshiron të largohet. Me këtë logjikë askush nuk do të “kërcënonte” apo rrezikonte karrigen e numrit ” 1” të çdo partie, edhe nëse do të kishte garë, deri diku me rregulla loje. Çështja është se garat në partitë politike shqiptare janë shuar, ndoshta as kanë ekzistuar me përjashtim të rasteve sporadike që në një mënyrë ose tjetër, sërish janë deformuar.

Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje në PS prej vitit 2005, kohë kur mori kontrollin e kësaj partie dhe nisi të spastrojë e largojë figura të socialistëve, që pavarësisht se çfarë përfaqësonin dhe gradave akademike që kishin, dolën në pension të parakohshëm politik. Për 21 vite, Rama dikton çdo vendimmarrje në Partinë Socialiste, aq sa sot është e vështirë që të dihen edhe emrat e anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie, një forum që dikur debatonte, kishte përplasje, klane dhe prodhonte luftë politike.

Sali Berisha ka diktuar çdo zhvillim në PD, pavarësisht nëse ka qenë ose jo i ulur në kolltukun e Kryetarit. Vetëm 4-5 muaj në 36 vite mund të jenë periudha që Berisha nuk diktoi vendimmarrje dhe kjo përkon pikërisht me muajt e fundit të 2021-it, kur Lulzim Basha e përjashtoi nga Grupi Parlamentar, por edhe nga partia, pavarësisht se nuk pati forcën për të përballuar revanshin e ish-kryeministrit.

Atëherë pyetja që lind është pse as Berisha dhe as Rama nuk lejojnë garat në partitë e tyre, pse kufizojnë hapësirat dhe kanë arritur në pikën që edhe kur ka kandidatë që besojnë se mund t´i sfidojnë, nuk lejohen të provojnë deri në fund fatin e tyre?

Zhvillimet e fundit në PD tregojnë se Berisha duket se nuk duron dot idenë që dikush mund ta rivalizojë, qoftë edhe përkohësisht, ndërsa ai dhe rivali të konsiderohen si “kandidatë”. Në këto kushte e ka më të thjeshtë që të fshijë nga lista çdo emër që mund të “lajthisë” dhe të ketë idenë se mund ta rivalizojë. E njëjta gjë ndodh edhe në rradhët e PS-së, ku Rama shfaq një tjetër metodë: fitoret elektorale i konsideron jo si të forcës që drejton, por si personale, dhe në kushte të tilla ka fshirë edhe idenë se mund të zhvillohen zgjedhje.

Nëse i referohemi zhvillimeve në 30 vite, gara e vetme, edhe pse ajo pati kulisa aleancash që ngritën hije dyshimi, ishte ajo mes të ndjerit Fatos Nano dhe Pandeli Majkos në 1999 për postin e kreut të PS-së. Një garë që u nda me një diferencë të vogël, për të mos thënë një grusht votash, ndërsa ishin “tradhëtitë” që përcaktuan fituesin.

Demokratët shansin e vetëm që kishin për të zhvilluar një garë, që më pas mund të ndryshonte shumëçka në PD, ishte viti 2013, pas tërheqjes së Berishës dhe kandidimit të të ndjerit, Sokol Olldashi dhe Lulzim Bashës. Por në atë kohë, idea se mund të zhvillohej një garë e vërtetë zgjati vetëm pak javë, pasi ekujlibrat u vendosën me ndërhyrjet energjike të Berishës dhe tarafit të tij, përfshirë dhe grupin e “gatshëm” të drejtorëve që pasi kishin lënë karriget në institucione, përcaktuan Bashën si pasardhësin e “babait shpirtëror” në PD.

E njëjta gjë u përsërit edhe në 2017 apo 2021, ndërsa në 2026, gara, qoftë edhe formalisht u shua ende pa nisur. Në fund të fundit, në garnizonet ushtarake nuk ka gara, ato drejtohen bazuar në rregulla strikte, ndërsa “komandanti” shpërndan ofiqet e gradat bazuar në “besnikëri”.

Jo më kot, disa vite më parë, Berishës i përqente ta quanin “marshall”, ndërsa Rama vetëkënaqet kur e thërrasin Skënderbe. Të dy drejtojnë reparte politike me rregullore ushtarake, njëri si kryetar i një garnizoni që po shkon drejt shthurjes dhe tjetri të një garnizoni ku emrat janë shndërruar në numra. /Pamfleti/

 

 

 

berisha rama pd ps

1 Komente

  1. r
    rrapushi

    Analiza qe nuk ndryshojne asgje! Njerzit tashme e dine se cfare po i bejne vendit dhe popullit keta te dy! Media e blere prej tyre, hesht. Te tjere bejne analiza akademike , qe nuk i sherbejne askujt, sepse ata do vazhdojne te bashkepunojne nen rrogoz, do vazhdojne te mbajne pushtetin me menyra anormale dhe trajtojne opoziten si placke tregu per interesat e Berishes. Prandaj, mediat , ose duhet te dalin hapur jo me analiza akademike, por orjentim te qarte te popullates te mos mbeshtesin per asgje keta dy mostra. Ne te kunderten , tja thone hapur opinionit, shqiperia do shnderrohet totalisht ne placke tregu dhe abuzimi prej ketyre te dyve dhe pjesa dermuse e popullit do perfundojne ne mjerim apsolut. Do dominojne ekonomine dy klane mafjoze, ne krye te te cilave do jene keta te d.y.

    Lini një Përgjigje