Sali Berisha, kreu i PD-së, i cili garon i vetëm për pozicionin e kryedemokratit, u shpreh se kandidatura e Mereme Selas nuk plotësonte kriteret.
Gjatë takimit me demokratët në Dibër, Berisha duke folur për kandidaturën e mjekes Merema Sela,tha se ajo nuk plotësonte kriteret dhe mund ta kthente garën në qesharake.
Në këtë kuadër, kreu demokrat kujtoi se Sela ishte përfshirë në një garë në degën e Durrësit ku kishte marrë vetëm 43 vota.
“Thonë që PD nuk bën zgjedhje, PD po bën zgjedhje dhe po bën zgjedhje të klasit më epror, një anëtarë një votë. Zgjedhjet me një kandidat? Po, e vërteta është që në 90% dhe më shumë të atyre që i bëjnë me një anëtarë një votë janë me një kandidat, sepse ata që kanë peshë dhe nuk janë të sigurtë në fitore, nuk pranojnë të hyjnë, por ama për të hyrë në garë disa kritere do i plotësosh, përndryshe gara bëhet qesharake.
Po marrim rastin e Meremes, se ata të tjerët nuk janë në PD fare… Meremja është në PD, ka bërë një garë dhe ka marrë 43 vota, bravo i i qoftë që bëri garë në qarkun e Durrësit. Për të kandiduar Meremja që të drejtojë ty dhe demokratët, duhet të ketë disa prova të tjera sepse bëhet gara qesharake dhe një garë e tillë nuk të nderon”, tha Berisha.
Mereme Sela ka paralajmëruar se do e çojë skualifikimin e saj në Gjykatë, ndërsa ka paralajmëruar se do të kontaktojë edhe ambasadat që do t’i informojë për këtë proces të deformuar.
Lini një Përgjigje