Procesi i zgjedhjes së kreut të PD-së në Korçë është pezulluar, ndërsa me shumë gjasë ai do të shtyhet, për shkak të përplasjeve që janë krijuar që në momentin e parë.
Debatet kanë nisur për listat e zgjedhësve, ku një pjesë e anëtarëve nuk kishin emrin në listë, dhe të tjerë kishin emrin, por nuk kishin kartat e anëtarësisë. Kjo ka çuar në një situatë që ka detyruar komisionin të ndalë procesin, ndërsa Ivi Kaso, drejtues politik për Qarkun e Korçës, ka zhvilluar një takim me dy kandidatët që garojnë Irvin Bode dhe Harito Zoto, por edhe me kreun actual të degës, Dhimitraq Çyfeku.
Problemi që pohohet edhe nga deputeti Fidel Kreka ka të bëjë me pasaktësinë e listës së anëtarëve me të drejtë vote.
“Është një situatë që nuk po biem dakord me drejtuesin e qarkut dhe ish kreun e PD. Shumë demokratë nuk e kanë emrin në listë. Këta thonë që duhet të kenë kartë. Ata nuk e kanë. Ata janë anëtarë dhe i njohin shumë mirë. Mund të shtyhet si proces”, tha Kreka.
Nga PD ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me atë që ka ndodhur, por duket se as Kaso nuk ka mundur të zgjidhë problemin. Fillimisht u raportua se për të votuar ishin paraqitur persona që nuk kishin as kartën e anëtarësisë dhe as karta identiteti, por kishin emrat në listë, sikundër të tjerë që kishin kartat e anëtarësisë nuk gjenin emrin në listë.
Lini një Përgjigje