Ka nisur me tensione dhe përplasje procesi i zgjedhjeve për kreun e degës së PD-së në Korçë.
Nga raportimet e para mësohet se problemet kanë nisur me listat e anëtarëve. Në proces janë paraqitur individë që nuk kanë pasur as karta identiteti dhe as ato të anëtarësisë, duke tentuar të votojnë, ndërkohë që të tjerë që kishin kartat e anëtarësisë nuk kishin emrat në lista. E gjithë kjo situatë ka krijuar tensione, duke detyruar Komisionin të ndërpresë procesin dhe të largojë kutitë e votimit nga ambienti, i konsideruar si qendër votimi.
Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me procesin, por duket se tensionet në degën e Korçës pasqyrojnë tensionet dhe përplasjet e krijuara lidhur me disa përjashtime që janë bërë në javët e fundit.
Në garën për kreun e degës së Korçës janë Irvin Ilia Bode dhe Harito Llazar Zoto.
E gjithë ngjarja ndodh në një kohë kur në PD ka nisur një debat lidhur me procedurat dhe mënyrën se si kjo forcë politike organizoi procesin për zgjedhjen e kreut të saj, ndërsa i vetmi që është pranuar si kandidat është Sali Berisha.
Të gjithë ata që depozituan kërkesat për tu bërë pjesë e procesit nuk janë pranuar me argumentet se nuk janë anëtarë të PD-së, ose profili i tyre publik dhe politik, është i nivelit të ulët.
Me këto argumente nuk u pranua as kandidimi i Ervin Salianjit, për të cilin Berisha ka deklaruar se është vetëpërjashtuar nga PD, ndërsa çdo mbështetës i tij në degët e kësaj force politike, është larguar nga strukturat apo nga anëtarësia.
Lini një Përgjigje