Në selinë blu janë përgatitur që protesta të nisë në orën 19:00 dhe ajo do të mbyllet kur ta vendosin qytetarët, edhe pse protestat e deritanishme kanë treguar se ato nuk zgjasin më shumë se 150 minuta, ku përfshihen edhe fjalimet dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë, bashkë me “pushimet” e ndërmjetme në “fushëbetejë”...
Opozita ka thirrur një protestë kombëtare në 8 maj, kundër atij që e konsideron si regjimi i Edi Ramës, në vijim të një cikli protestash, që pavarësisht entuziazmit të organizatorëve duket se nuk po “ndezin”. PD dhe aleatët e saj e konsiderojnë protestën si vijimin e një reagimi politik nga opozita ndaj Qeverisë Rama, ndërsa kreu demokrat Sali Berisha ka rikthyer në vëmendje zgjedhjet e 11 majit 2025, që i konsideron një farsë elektorale, si një nga shkaqet pse duhet protestuar. Por cilët janë skenarët që opozita mund të aplikojë në 8 maj?
Prej disa ditësh, deputetët dhe anëtarët e kryesisë së PD janë angazhuar në terren, në takime me qytetarët që i ftojnë t´I bashkohen protestës. Deputetët dhe anëtarët e kryesisë janë ndarë sipas qarqeve në takime me strukturat, ndërsa vëmendja më e madhe është e përqëndruar në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër e Fier, që konsiderohen edhe si qarqet nga ku pritet pjesëmarrje e lartë. Objektivi kryesor për 8 majin mbetet pjesëmarrja sa më e lartë në protestë, edhe pse duket një skepticizëm i qartë, qoftë edhe nga pyetjet që i drejtohen kreut demokrat Sali Berisha apo të deleguarve të tij, se çfarë do të arrihet në protestën e rradhës.
Në selinë blu janë përgatitur që protesta të nisë në orën 19:00 dhe ajo do të mbyllet kur ta vendosin qytetarët, edhe pse protestat e deritanishme kanë treguar se ato nuk zgjasin më shumë se 150 minuta, ku përfshihen edhe fjalimet dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë, bashkë me “pushimet” e ndërmjetme në “fushëbetejë”. Protestuesit varësisht nga degët dhe organizimi do të mblidhen paraprakisht në selinë e PD-së, nga ku më pas marshojnë drejt Kryeministrisë, ndërsa një pjesë tjetër janë udhëzuar të grumbullohen përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit.
Protesta do të jetë me podium, ku do të synohen zëra nga shoqëria civile dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke bërë një ndërthurje mes mesazheve politike, por edhe gjendjes ekonomike, veçanërisht pas rritjes së çmimeve. Mesazhin e fundit si gjithmonë pritet ta japë Berisha me fjalimin e tij.
Një nga skenarët që është në diskutim në selinë e PD është një protestë e ndërthurur me mosbindjen civile, ku përtej mbledhjes së protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të ketë një qarkullim të tyre në akset kryesore. Një format të tillë proteste demokratët e kanë aplikuar edhe më parë, por nëse e rikthejnë në zbatim do të synohet jo thjesht “xhirot” në akset rrugore, po bllokimi i disa pikave në akse të ndryshme.
Një tjetër skenar është ai i një përgjigjeje proporcionale ndaj asaj që konsiderohet si dhunë të regjimit ndaj protestuesve. Kjo do të thotë se organizatorët do të tentojnë të krijojnë një skemë përplasjeje, nëse ndaj protestuesve do të ndërhyhet sikundër ndodhi në protestën e dhunshme, që u kapën të papërgatitur me ndërhyrjen e beftë të policisë, që arriti të parandalonte edhe përdorimin e pjesës më të madhe të molotovëve që zakonsiht hidhen nga protestues të ndryshëm në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Si nga Sali Berisha ashtu edhe nga Flamur Noka është folur me një gjuhë të ashpër politike, me paralajmërime të shumta, ndërsa e cilësojnë betejën me Ramën si “kilometri i fundit” i fitores me regjimin, një mënyrë kjo, ndoshta, për të shtuar entuziazmin në rradhët e demokratëve. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje