Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj Ervin Salianjit dhe Lulzim Bashës, duke i cilësuar si “tradhtarë” dhe duke i akuzuar për veprime që, sipas tij, kanë dëmtuar opozitën.
Gjatë një takimi me demokratët në Dibër, Berisha u ndal fillimisht te rasti i Salianjit, për të cilin tha se është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve të tij.
“I shkova dhe në burg, pa diskutim. Jepja porosi edhe miqve të tjerë që të shkojnë dhe ta takojnë. Unë kam një ligj të hekurt që nuk e shkel kurrë. Kurrë nuk nisem nga mosbesimi dhe nga paragjykimi. Unë nisem nga besimi.
I them do të të kooptojmë në Kryesi. Më thotë nuk duhet të behën zgjedhje në parti sepse në kohë diktaturë nuk bën opozita zgjedhje. Jo i them do bëjmë zgjedhje. Vinte rregullisht në zgjedhje, nuk shtronte asgjë të veçantë.
Ndërkohë informacione të verifikuara… ky në burg drekonte më Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin. Ky ishte opozitë ata ishin byrazerë të qeverisë. Kjo 100% e vërtetë nga persona që janë marrë me organizimin e drekave të tyre. Pastaj gjatë verës, ky shkonte në Qerret te Ergys Agasi, njeriu që unë sulmoja më shumë.
Siç e dimë, ne mbajtëm një heshtje totale deri sa doli raporti i OSBE/ODIHR, sepse Rama po bënte gjithçka për ta ndryshuar. Doli raporti, menjëherë mblodha Kryesinë dhe thashë tani në sulm. Ishte dhe ai dhe tha po. Thirra dhe e pyeta se çfarë aksione duhej të ndërmerrnim, nuk më tha.
Iku dhe kur del thërret më të votuarit, i shkojnë… shumë mirë. Kur shkuan aty e panë që nuk shkohej më. Nis takimet, i thashë ‘këta nuk janë të partisë’. I thashë që ata janë njerëz që punuan kundër në fushatë. Më pas i thashë e ke përjashtuar veten nga PD, beteja jonë me PS është jetë a vdekje. Erdhi në një mision në të cilin dështoi”, tha Berisha për Salianjin.
Në vijim, Berisha hodhi akuza edhe ndaj ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të cilin tha se ka pasur synim bashkëpunimin me kryeministrin Edi Rama.
“Ishin dosjet penale me të cilat Rama e kapi për fyti Lulzim Bashën. Me dosjen Toyota Jaris, një akt shumë i papërgjegjshëm i tij sepse ishte një operacion policor në zbatim dhe s’mund ta dekonspirosh. Dosja e dytë ishte dosja e Muzinit. Ai nuk e denonconte Ramën, donte të bënte koalicion me Ramën. Këta që shkelmojnë opozitën dhe demokracinë nuk i duhen askujt, janë skllevër, nuk janë njerëz të lirë”, deklaroi kreu i PD.
Berisha theksoi se veprime të tilla, sipas tij, kanë dëmtuar opozitën dhe proceset demokratike në vend.
Lini një Përgjigje