
Zgjedhjet për degën e Partisë Demokratike në Korçë janë shtyrë për një datë tjetër, pas ndërprerjes së procesit të votimit për shkak të tensioneve mes pjesëmarrësve.
Situata u përshkallëzua kur disa simpatizantë, të cilët pretendonin se emrat e tyre mungonin në listat e votimit, kundërshtuan procedurën dhe grisën fletët e votimit. Ky veprim e bëri të pamundur vijimin normal të procesit zgjedhor, ku në garë ishin Irvin Bode dhe Harito Zoto.
Pavarësisht përpjekjeve për të qetësuar situatën dhe për të rifilluar votimin përmes negociatave nga drejtuesit politikë, procesi nuk mundi të rikthehej në normalitet. Në këto kushte, përfaqësuesit e ardhur nga Tirana për monitorimin e zgjedhjeve morën kutitë e votimit dhe u larguan nga vendi i procesit.
Tashmë pritet që kryesia e Partisë Demokratike të caktojë një datë të re për zhvillimin e zgjedhjeve në degën e Korçës.
Lini një Përgjigje