Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt...
NATO duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane. Kjo është këshilla që Kryeministri Edi Rama ka dhënë, referuar zhvillimeve ndërkombëtare dhe përplasjeve mes SHBA-së dhe BE-së.
“Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”, tha Rama.
Nga Yerevani i Armenisë, ku sot zhvillon punimet Komuniteti Politik Europian, në një prononcim për mediat, Rama foli për zgjerimin e BE-së, ndërsa tha se kur Bashkimi Europian nuk është i plotë nuk mund të jetë i fortë.
“Një tjetër samit, një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet tona të përbashkëta dhe shqetësimet. Është një tjetër mundësi e mrekullueshme për të parë sa shumë gjëra mund të realizojmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të shkojmë më tej me unifikimin e Europës”, tha Rama, duke komentuar Samitin në Armeni.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se çfarë mund t’u ofrojë BE-ja vendeve që aspirojnë anëtarësimin, Rama tha se kjo lidhet me forcimin e Europës.
“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian. Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, tha Rama.
Deklaratat e Kryeministrit në raport me BE-në janë në vijim të qëndrimeve të shfaqura edhe më parë nga Rama, ku kërkon një anëtarësim të shpejtë në Union, madje duke ofruar edhe variantin "pa të drejtë vote", që u refuzua fillimisht nga Berlini dhe më pas edhe nga Brukseli.
Deklarata e Ramës është bërë pas një takimi që ai ka zhvilluar me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashynian.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë.
Kreu i qeverisë do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”.
Samiti i Yerevanit është i 8-ti i Komunitetit Politik, që nën moton "Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Evropë", ka mbledhur 48 krerë qeverish e shtetesh në kryeqytetin e Armenisë.
Samiti do të bashkëkryesohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, dhe Nikol Pashinyan, Kryeministri i Armenisë.
Në Komunitetin Politik Evropian përvecc 27 vendeve anëtare të BE-së, bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova, vendet e tjera të rajonit, ndërsa për herë të parë, në këtë samit do të marrë pjesë dhe një shtet jo-evropian si Kanadaja. /Pamfleti/
Na kane bllokuar 3 shtetet ortodokse te Ballkanit:Greqia, Rumania dhe Bullgaria. Vetem nese hiqet vota e plote e parlamenteve te vendeve anetare, mund te hyjmë ne BE.