
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën 2 fëmijë ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.
Ajo ka kritikuar mënyrën se si trajtohen rastet e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur. Në një postim në Facebook, Zhupa deklaroi se këto ngjarje nuk mund të konsiderohen më si “aksidente” apo “pakujdesi”, por si akte të qëllimshme që rrezikojnë jetën e të tjerëve.
Sipas saj, kush ulet në timon i dehur është plotësisht i vetëdijshëm për pasojat dhe për rrezikun që krijon.
Zhupa bëri thirrje për ndryshime në Kodin Penal, duke kërkuar që raste të tilla të trajtohen si krime të rënda kundër jetës dhe jo si shkelje të thjeshta të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ajo shprehu gjithashtu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për fëmijën e plagosur, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë në lartësinë e dhimbjes së tyre dhe të japë përgjigjen e duhur.
"Sot është një ditë e zezë që duhet të na shkundë të gjithëve.
Nuk gjej dot fjalët e duhura për të shprehur ngushëllimet më të thella për familjet që kanë humbur pjesën e shpirtit të tyre, fëmijët e tyre. Lutem me gjithë zemër për shërimin e fëmijës së plagosur.
Ky është rasti për të reflektuar si ligjvënës, nuk mund të vazhdojmë t’i quajmë “aksidente” apo “pakujdesi” raste kur dikush hipën i dehur në timon. Ky është një akt i vetëdijshëm, ku makina kthehet në armë dhe rreziku për jetën e të tjerëve është i qëllimshëm.
Është koha që Kodi Penal të mos i trajtojë më këta persona si shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor, por si autorë të krimeve të rënda kundër jetës. Kush drejton mjetin në gjendje të dehur, e bën me dijeni të plotë të pasojave.
Drejtësia duhet të jetë në lartësinë e duhur dhe të japë drejtësi të vërtetë", shkruan Zhupa.
Lini një Përgjigje