Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka bërë një përpjekje konkrete për të bindur Pep Guardiolën të marrë drejtimin e kombëtares italiane. Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtori teknik Paolo Maldini dhe këshilltari i tij Leonardo u takuan me trajnerin katalanas në Barcelonë gjatë fundjavës, ku i prezantuan projektin e ri teknik të “Azzurrëve”.
Maldini, i emëruar së fundmi drejtor teknik i FIGC-së dhe president i Club Italia, së bashku me Leonardon, i kanë paraqitur Guardiolës objektivat dhe vizionin afatgjatë të federatës. Projekti nuk varet vetëm nga përgjigjja e trajnerit spanjoll dhe do të vazhdojë edhe nëse ai vendos të mos e pranojë ofertën.
Guardiola ka përfunduar së fundmi ciklin e tij dhjetëvjeçar te Manchester City dhe, në deklaratat e fundit, ka bërë të ditur se nuk ka nxitim për t'u rikthyer menjëherë në stol. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar FIGC-në të provojë ta bindë të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane.
Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, konfirmoi se zgjedhja e trajnerit të ri duhet të marrë parasysh jo vetëm gatishmërinë e kandidatit, por edhe kërkesat e tij dhe përputhshmërinë me mundësitë financiare të federatës.
Sipas raportimeve, përgjigjja e Guardiolës pritet të mbërrijë brenda orëve ose ditëve në vijim. Ndërkohë, në listën e kandidatëve për postin e trajnerit të Italisë vazhdojnë të përmenden edhe Roberto Mancini dhe Andrea Pirlo.
Lini një Përgjigje