
Një raport i publikuar nga "New York Times' ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën e Pentagonit gjatë konfliktit me Iranin, duke pretenduar se ushtria amerikane nuk bëri publike disa sulme iraniane ndaj bazave të saj në Lindjen e Mesme, si edhe pasojat që ato shkaktuan.
Sipas gazetës, duke cituar zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti, Irani kreu tre sulme ndaj forcave amerikane në javën që i parapriu sulmit të së premtes në Jordani, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një tjetër rezulton i zhdukur. Raportohet se nga këto sulme mbetën të plagosur dhjetëra ushtarakë dhe u dëmtuan disa helikopterë.
Megjithatë, këto incidente nuk u njoftuan zyrtarisht nga Pentagoni. Sipas New York Times, kjo ka nxitur debat mbi balancën mes ruajtjes së sigurisë operacionale dhe detyrimit të autoriteteve për të informuar publikun në kohë konflikti.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) argumenton se nuk ka detyrim të publikojë çdo rast të ushtarëve të plagosur, veçanërisht kur ata rikthehen shpejt në detyrë. Një zyrtar ushtarak tha se publikimi i këtyre të dhënave mund të ndihmonte Iranin të identifikonte dobësitë e bazave amerikane dhe të planifikonte sulme të tjera me raketa balistike apo dronë.
Në reagimin e tij, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, mohoi akuzat për mungesë transparence. Ai deklaroi se shumica e ushtarëve të plagosur kishin pësuar vetëm "lëndime të lehta në kokë" dhe se 96% e tyre janë rikthyer në shërbim.
Ndërkohë, ushtria amerikane konfirmon se rreth 100 ushtarë janë plagosur gjatë javëve të fundit të konfliktit. Sipas të dhënave të CENTCOM-it, numri total i ushtarakëve amerikanë të plagosur që nga fillimi i operacioneve kundër Iranit ka kaluar 400.
Bilanci i viktimave është rritur gjithashtu. Me vdekjen e dy ushtarëve në Jordani dhe të një tjetri në Irakun verior, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë që nga nisja e operacioneve më 28 shkurt ka arritur në 17.
Lini një Përgjigje