TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Korrik 2026, 17:05

"Goditja" e Hënës, NASA zbulon datën kur raketa e SpaceX mund të përplaset

Shkruar nga Pamfleti

"Goditja" e Hënës, NASA zbulon datën kur raketa e

Një pjesë e raketës Falcon 9 të kompanisë SpaceX mund të përplaset me Hënën më 5 gusht, sipas llogaritjeve të astronomëve dhe shkencëtarëve të NASA-s.

Bëhet fjalë për fazën e sipërme të raketës, e cila u lëshua në janar të vitit 2025 gjatë një misioni drejt Hënës. Sipas astronomit amerikan Bill Gray, objekti ka mbetur në hapësirë dhe trajektorja e tij tregon se mund të godasë aksidentalisht sipërfaqen hënore.

Sipas portalit Space.com, në fillim të korrikut ekspertët e Institutit Virtual të Kërkimeve për Eksplorimin e Sistemit Diellor (SSERVI) të NASA-s zhvilluan një diskutim mbi këtë skenar dhe pasojat e mundshme.

"Hëna është një mjedis dinamik", u shpreh vëzhguesi hënor Brian Day, duke theksuar se përplasje dhe ndryshime në sipërfaqen e saj ndodhin vazhdimisht.

Një nga çështjet që po diskutohet është nëse impakti do të mund të shihet nga Toka. Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që reja e pluhurit e krijuar nga përplasja të ndriçohet nga Dielli, por NASA mbetet skeptike.

"Mendoj se do të jetë shumë, shumë e vështirë për t'u parë, nëse jo e pamundur", deklaroi William Cooke, menaxher në NASA.

Faza e sipërme e raketës Falcon 9 peshon rreth katër ton dhe aktualisht lëviz me një shpejtësi mbi dy kilometra në sekondë.

Bill Gray, krijues i programit astronomik Guide, ishte i pari që publikoi llogaritjet për përplasjen e mundshme, ndërsa parashikimet e tij tregojnë datën 5 gusht 2026 si momentin më të mundshëm të impaktit.

Shkencëtarët theksojnë se përplasja nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën, por e konsiderojnë një tjetër shembull të problemeve që lidhen me shtimin e mbeturinave hapësinore.

Një incident i ngjashëm u regjistrua edhe katër vite më parë, kur një objekt hapësinor u përplas me Hënën. Në atë kohë, NASA dyshoi se bëhej fjalë për një pjesë të një rakete kineze, pretendim që u mohua nga autoritetet kineze.

rakete space x falcon 9

Lini një Përgjigje

Rajoni dhe Bota