Sipas gazetës Türkiye, plani parashikonte eliminimin e presidentit turk në ajër dhe paraqitjen e vdekjes së tij si një përpjekje për arratisje. Pretendimet lidhen me rrjetin e Fethullah Gülenit, të cilin Ankaraja e akuzon për organizimin e grushtit të shtetit.
Dhjetë vjet pas tentativës për grusht shteti në Turqi, gazeta Türkiye ka publikuar detaje të reja mbi një plan të dyshuar për atentat ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan. Sipas raportimit, plani ishte hartuar nga anëtarë të organizatës FETÖ, siç e cilësojnë autoritetet turke lëvizjen e klerikut Fethullah Gülen.
Gazeta, duke cituar burime të paidentifikuara, pretendon se atentati ishte planifikuar sipas një skenari të ngjashëm me vrasjen e presidentit egjiptian Anëar Sadat në vitin 1981. Sipas këtyre pretendimeve, në vendngjarje ishin vendosur persona të gatshëm të kryenin sulmin dhe të mos binin të gjallë në duart e autoriteteve.
Raporti shton se plani u zbulua në momentet e fundit, pasi ushtria dhe shërbimet turke të inteligjencës paralajmëruan presidentin për lëvizje të dyshimta.
Ish-gjenerali Ibrahim Büyükbaş deklaroi se tre muaj para tentativës për grusht shteti ishte hartuar edhe një plan alternativ. Sipas tij, nëse Erdogan do të kapej në hotelin ku ndodhej natën e 15 korrikut 2016, ai do të transportohej me helikopter drejt një aeroporti, do të hipte në një avion të përgatitur paraprakisht dhe do të ekzekutohej gjatë fluturimit.
Büyükbaş pretendon se më pas do të publikohej versioni se presidenti kishte tentuar të arratisej jashtë vendit me ar dhe miliona dollarë, por ishte vrarë gjatë një përplasjeje me forcat e sigurisë.
Tentativa për grusht shteti e 15 korrikut 2016 mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Turqisë. Pas dështimit të saj, qeveria turke ndërmori një fushatë të gjerë spastrimesh në ushtri, gjyqësor, polici, universitete dhe administratën publike. Dhjetëra mijëra persona u arrestuan ose u larguan nga detyra nën akuzat për lidhje me lëvizjen e Gülenit.
Presidenti Erdogan ka këmbëngulur vazhdimisht se FETÖ ishte organizatorja e grushtit të shtetit dhe se rrjeti i Gülenit ishte infiltruar prej vitesh në institucionet shtetërore. Fethullah Gülen, i cili jetoi në Shtetet e Bashkuara deri në vdekjen e tij, si dhe mbështetësit e tij, i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.
Nga ana tjetër, kritikët e qeverisë turke dhe një pjesë e analistëve ndërkombëtarë kanë argumentuar se pas dështimit të grushtit të shtetit, Erdogan e shfrytëzoi situatën për të goditur lëvizjen e Gülenit dhe për të konsoliduar pushtetin e tij përmes spastrimeve masive dhe ndryshimeve kushtetuese. Autoritetet turke i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se masat ishin të nevojshme për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare.
Lini një Përgjigje