Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në historinë e saj, pasi mposhti Argjentinën me rezultatin minimal 1-0 në finalen e Botërorit. Heroi i sfidës ishte Ferran Torres, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 106-të të kohës shtesë.
Tre ditë pas triumfit historik, në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi një video e Lamin Jamal. Pamjet, që zgjasin rreth 70 sekonda, fokusohen te reagimi emocionues i 19-vjeçarit menjëherë pasi topi përfundoi në rrjetë dhe Spanja hodhi një hap të madh drejt trofeut.
Edhe pse Jamal nuk ishte ndër protagonistët kryesorë gjatë turneut, ai është konsideruar një ogur i mirë për "La Rojan". Me talentin e ri në formacionin titullar, Spanja ka regjistruar vetëm fitore si në Kampionatin Europian ashtu edhe në Botëror, si në fazën e grupeve, ashtu edhe në ndeshjet me eliminim direkt.
Pas suksesit me kombëtaren, vëmendja e Jamal do të rikthehet te Barcelona. Klubi katalanas synon të rikthehet në fronin e Europës dhe të fitojë trofeun e Champions League, që i mungon prej vitesh.
Lini një Përgjigje