Kupa e Botës nuk është vetëm një garë sportive ku përballen kombëtaret më të mira të planetit. Përtej emocioneve në fushë, turneu është edhe një arenë gjigante biznesi, ku markat ndërkombëtare dhe figurat publike përfitojnë shifra marramendëse nga reklamimi dhe ekspozimi mediatik.
Ndërsa në stadiume vëmendja u përqendrua te duelet dramatike dhe performancat e futbollistëve, jashtë fushës një emër dominoi botën e marketingut: Devid Bekam. Legjenda e futbollit anglez dhe ish-ylli i Mançester Junajtid u shndërrua në figurën më të kërkuar të këtij Botërori, duke tejkaluar jo vetëm lojtarët e kombëtares angleze, por edhe disa prej yjeve më të mëdhenj të muzikës botërore.
Bekam arkëton mbi 22 milionë euro nga reklamat
Sipas analizave të tregut, Devid Bekham, 51 vjeç, fitoi rreth 19 milionë paund (mbi 22 milionë euro) gjatë periudhës së turneut. Ish-kapiteni i Anglisë ishte një nga figurat më të pranishme në stadiume, por ndikimi i tij më i madh erdhi përmes ekraneve televizive, ku u shfaq para miliarda shikuesve.
Bekam ishte fytyra kryesore e disa fushatave të kompanive gjigante ndërkombëtare, përfshirë McDonald’s, Walkers dhe Stella Artois, duke e kthyer famën dhe imazhin e tij në një burim të jashtëzakonshëm të ardhurash.
Me këtë rezultat financiar, ai la pas edhe disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë së muzikës. Këngëtarja kolumbiane Shakira, e cila performoi në ceremoninë e hapjes dhe gjatë spektaklit të finales, fitoi rreth 15 milionë paund (17.5 milionë euro), ndërsa Justin Bieber arkëtoi rreth 12 milionë paund për performancën e tij në finale.
“Marka Bekam”, një fenomen global
Fuqia e emrit Bekam vazhdon të rritet veçanërisht në tregun amerikan. Përveç periudhës së tij si futbollist te LA Galaxy, Bekam sot është bashkëpronar i klubit Inter Miami, duke forcuar edhe më shumë ndikimin e tij në sport dhe biznes.
Së bashku me bashkëshorten e tij, Viktoria Bekam, pasuria e çiftit vlerësohet rreth 1.85 miliardë paund. Ekspertët e marketingut theksojnë se mbiemri Bekam është kthyer në një markë më vete, e cila vazhdon të ketë vlerë të jashtëzakonshme për kompanitë globale.
Edhe djali i tij i madh, Bruklin Bekam, ka përfituar nga kjo famë. Pavarësisht debateve publike rreth marrëdhënieve familjare, emri Bekam i ka siguruar atij rreth 1 milion paund, kryesisht përmes një marrëveshjeje me kompaninë e dërgesave DoorDash.
Eksperti i markave dhe kulturës Nick Ede ka deklaruar për “The Sun” se kompanitë ndërkombëtare vazhdojnë t’i besojnë fuqisë së këtij mbiemri, pasi ekspozimi i marrë gjatë një eventi si Kupa e Botës mund të ketë vlerë të krahasueshme me një rol kryesor në një film të suksesshëm apo një album muzikor hit.
Bekam fitoi më shumë se e gjithë Anglia në shpërblime personale
Një nga kontrastet më të mëdha të këtij Botërori ishte diferenca mes fitimeve të Bekam dhe shpërblimeve të kombëtares angleze, e cila e përfundoi turneun në vendin e tretë.
Federata Angleze e Futbollit përfitoi rreth 22 milionë paund nga shpërblimet e turneut, ndërsa vetëm rreth 11 milionë paund iu shpërndanë lojtarëve dhe stafit teknik.
Kjo do të thotë se vetëm Devid Bekam fitoi rreth 8 milionë paund më shumë sesa i gjithë grupi i lojtarëve dhe trajnerëve të Anglisë së bashku. Futbollistët anglezë pritet të përfitojnë individualisht mes 350 mijë dhe 420 mijë paund për arritjen e vendit të tretë.
Bonuset e trajnerit dhe kontributi për bamirësi
Trajneri Tomas Tuhel, i cili u kritikua për zgjedhjet taktike pas humbjes në gjysmëfinale ndaj Argjentinës, përfiton një bonus financiar të veçantë, të ndarë nga shpërblimet e lojtarëve.
Ndërkohë, pagesat standarde që lojtarët marrin për çdo ndeshje të luajtur — rreth 2 mijë paund për takim — dhurohen për bamirësi përmes Fondacionit të Futbollistëve të Anglisë. Kjo marrëveshje është në fuqi që prej vitit 2007.
Në fund, Kupa e Botës u dëshmua jo vetëm si një betejë sportive, por edhe si një garë e madhe ekonomike. Dhe në këtë aspekt, Devid Bekam doli si fituesi më i madh jashtë fushës.
Lini një Përgjigje