Dy persona të tjerë të arrestuar në kuadër të operacioneve të Prokurorisë së Sarandës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), që lidhen me hetimet për ndërtimet pa leje në jug të vendit, janë liruar nga paraburgimi me vendime të gjykatave.
Inspektori i Policisë, Robert Culli, i cili mbahej në paraburgim që prej 15 majit nën akuzën e "shpërdorimit të detyrës", është liruar me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila i ka caktuar masën e sigurisë "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore".
Ndërkohë, Mirdar Koshi, i cili u vetëdorëzua më 15 korrik dhe akuzohet për veprën penale "ndërtimi i paligjshëm", është lënë nga Gjykata e Sarandës në masën e sigurisë "arrest në shtëpi".
Nga 14 personat e arrestuar në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara më 15 dhe 25 maj, tashmë në qeli me masën "arrest në burg" ndodhet vetëm ish-shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari.
Bashllari u arrestua nga AMP më 15 maj dhe, pas shqyrtimit të çështjes në dy shkallët e gjyqësorit, masa e sigurisë ndaj tij është lënë në fuqi. Të gjithë personat e tjerë të proceduar në këtë dosje kanë përfituar masa më të lehta sigurie pas vendimeve të gjykatave, ndërsa në kërkim mbeten edhe dy persona.
Hetimet lidhen me dyshimet se punonjës të Policisë së Shtetit, përmes veprimeve ose mosveprimeve të tyre, kanë favorizuar ndërtime pa leje në jug të vendit. Në fokus të dosjes është edhe një pronë e përmendur më herët si "mollë sherri", ku gjatë vitit 2025 u vra përdoruesi i saj, Isuf Jaçaj.
Operacioni i arrestimeve u zhvillua në maj 2026 nga Prokuroria e Sarandës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të hetimeve mbi dyshimet për favorizimin e ndërtimeve pa leje nga efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Lini një Përgjigje