Transferimi i sulmuesit kosovar Vedat Muriqi te klubi italian Lacio, për shumën e konsiderueshme prej 17.5 milionë eurosh, është bërë objekt i një investigimi nga emisioni i njohur italian “Report” në Rai3.
Në fokusin kryesor të këtij hetimi gazetaresk është ajo që emisioni e cilëson si “lidhja shqiptare” – një grup personazhesh shqiptarë që dyshohet se kanë pasur rol në prapaskenat e marrëveshjes, e cila nga ana sportive nuk rezultoi e suksesshme.
Në qendër të kritikave është drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili për vite me radhë ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të klubit italian. Megjithatë, marrëveshja për transferimin e Muriqit ka ngritur pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi.
Sipas investigimit të Rai3, në procesin e transferimit është përmendur edhe emri i vëllait të Igli Tares, Genti Tare, i cili në atë periudhë shërbente si konsull i Shqipërisë në Stamboll – qyteti ku Vedat Muriqi luante për Fenerbahçen.
Agjenti i njohur italian i futbollit, Vinçenco Morabito, ka komentuar këtë situatë duke vënë në dukje rolin e faktorëve shqiptarë në këtë marrëveshje. Ai deklaroi për emisionin:
“Tare ka një vëlla që është konsull shqiptar në Stamboll dhe papritur paguhen rreth 18 milionë euro për një lojtar që nuk rezultoi i denjë për atë shumë. Simone Inzagi ka mbetur i zhgënjyer nga kjo blerje. Për Lacion, të shpenzosh kaq shumë para për një lojtar të tillë ishte një vendim i çuditshëm.”
Megjithatë, emrat shqiptarë të përfshirë në këtë histori nuk kufizohen vetëm te familja Tare. Sipas investigimit të Rai3, në negociatat për transferimin e Muriqit është përmendur edhe ndërmjetësi shqiptar Shkumbin Qormemeti.
Mediat italiane e përshkruajnë atë si një agjent me një numër të kufizuar lojtarësh nën menaxhim, por me një marrëdhënie të afërt dhe miqësi të hershme me Igli Taren. Sipas raportimit, ai ka pasur rol në finalizimin e marrëveshjes mes palëve.
Kështu, një transferim që në fillim u konsiderua si një përforcim i rëndësishëm për sulmin e Lacios, sot është kthyer në një çështje që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si u realizua marrëveshja dhe mbi ndikimin e lidhjeve personale në një operacion financiar me vlerë miliona euro.
Ndërkohë, akuzat e ngritura në investigim mbeten pjesë e raportimit mediatik dhe nuk përbëjnë prova përfundimtare për shkelje ligjore.
Lini një Përgjigje