Gjatë protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë, dy prej protestuesve ngritën shqetësime lidhur me "Paketën e Maleve", duke pretenduar se kjo nismë cenon të drejtën e pronës dhe favorizon interesat e një grupi të caktuar.
Njëri prej tyre deklaroi se, sipas tij, projekti është hartuar për t'u kaluar pronat oligarkëve dhe akuzoi qeverinë se po vijon politikat që kanë çuar në largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Siç e thamë në fillim të tubimit kjo qeveri dhe ky sistem punoi aktivisht për të larguar shqiptarët dhe tani vijnë me atë që quhet “Paketa e Maleve” për t’i rikthyer nga trojet që i dëbuan. Por kjo është një skemë e mirëmenduar sepse kërkojnë të grabisin trojet për t’ua dhënë ato oligarkëve”, tha ai.
Në protestë foli edhe një qytetare, e cila e lidhi çështjen e pronësisë me shpopullimin e zonave rurale dhe mungesën e zhvillimit ekonomik. Ajo u shpreh se protesta po vazhdon prej 52 ditësh për shkak të pakënaqësive ndaj klasës politike.
“52 ditë që ne kërkojmë dorëheqjen e Ramës dhe nuk jemi lodhur sepse hallet e njëri-tjetrit janë hallet që kemi të gjithë dhe është faji i klasës politike 35-vjeçare ndaj dhe themi Rama në burg Berisha në burg. Rama mori rrugën deri në Theth të cilin e shkatërroi pasi ftoi shqiptarët të investonin. Vendi është shpopulluar me qëllim që toka të jetë e pavlefshme.
Tokat janë ndarë me 7501 në mënyrë të padrejtë ndaj ne dënojmë klasën politike. Ka zona të tëra që nuk janë regjistruar në Hipoteka, ndaj populli iu dënon.
Nëse do të ishte regjistruar prona ata do të kishin mundësi t’i zhvillonin nuk do të shpopulloheshin fshatrat, nuk do të zbrazeshin shkollat, sepse shqiptarëve u është mohuar e drejta e pronës.
Ka mundësi që të rregullohet çështja e pronës, sipas sistemit të gjendjes civile të trashëgimtarëve. Më pas ata e vendosin vetë nëse e duan ta zhvillojnë, në Kukës e Tropojë nuk mund ta zhvillojmë pronën sepse janë pa të drejtë pronësie”, tha ajo.
Lini një Përgjigje