Një nga pjesëmarrësit në protestën që po zhvillohet prej 52 ditësh përpara Kryeministrisë tha se qëllimi i tubimit nuk është vetëm largimi i kryeministrit Edi Rama, por edhe ndryshimi i klasës politike që, sipas tij, ka drejtuar vendin gjatë 36 viteve të fundit.
Ai tha se vendosi t'i bashkohej protestës për shkak të pakënaqësive që lidhen me korrupsionin, gjendjen në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit, si edhe me çështjet e pronësisë. Sipas tij, shumë nga premtimet e bëra nga qeveria nuk janë realizuar.
“Kemi 52 ditë në protestë për largimin e Ramës, për shkak të korrupsionit, problemeve me arsimin dhe shëndetësinë. U premtua shëndetësi falas, por nuk e kemi as me lekë. Nuk ka shëndetësi falas, është gënjeshtër. Kam punuar gjithë jetën, kam paguar taksa dhe nuk gjej asnjë siguri”, u shpreh ai.
Duke folur për procesin e integrimit europian, protestuesi argumentoi se Shqipëria duhet të përmbushë standardet e kërkuara përpara se të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
“Si mund të shkosh në Europë me këto standarde? Europa ka standardet e veta. Edhe pronat nuk t’i japin”, deklaroi ai.
Ai komentoi edhe vizitën e kryeministrit Edi Rama në Theth, duke e interpretuar atë si një përpjekje për të ulur tensionet.
“Pse ka shkuar Rama në Theth sot? Ka shkuar për të kërkuar mëshirë, të shpëtojë”, tha ai.
Në fund të deklaratës së tij, protestuesi drejtoi kritika edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke pretenduar se protesta ka nxjerrë në pah përgjegjësitë si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës.
“Kjo protestë e ka kapur mat edhe Berishën, edhe Ramën. Dëmin më të madh po e bën Berisha. Po të hapë krahun ai, Rama largohet menjëherë. Jam në protestë që të zhduken këta politikanë të 36 viteve”, u shpreh protestuesi.
Lini një Përgjigje