Policia ka vendosur një gardh metalik që nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit dhe asnjë automjet dhe asnjë qytetar nuk lejohet të kalojë, ndërsa këtë herë është zgjeruar edhe perimetri i sigurisë.
Siç është paralajmëruar ditë më parë, protesta e kësaj të enjteje po zhvillohet paralelisht me seancën plenare në Kuvend. Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të marshojnë drejt godinës së Parlamentit. Tubimi përkon me nisjen e punimeve parlamentare në orën 10:00, çka ka sjellë edhe një mobilizim të gjerë të strukturave të rendit.
Para Kuvendit janë shënuar edhe incidentet e para mes disa qytetarëve dhe forcave të sigurisë.
Disa protestues janë afruar pranë gardhit metalik të vendosur nga Policia e Shtetit dhe në video shihet momenti kur qytetarët tentojnë të shtyjnë dhe të heqin rrethimin metalik për të depërtuar drejt godinës së Kuvendit, ndërsa punonjësit e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të bllokuar kalimin dhe për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë.
Ndërkohë dy efektivë janë lënduar pas përplasjeve mes protestuesve dhe uniformave.

Një prej efektivëve ka marrë dëmtime të lehta ndërsa polici tjetër është gjakosur.Protestuesit ndërkohë qëlluan me vezë, domate, dhe shishe uji, uniformat blu, duke çarë gardhin metalik të vendosur për garantimin e perimetrit të sigurisë.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren.

Ndërkohë protestuesit brohorasin para Kuvendit thirrjet: “Nuk na përfaqësoni!”Ata vijojnë edhe me thirrjet e njohura të protestës si “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit” e “Poshtë qeveria.”
Policia ka vendosur një gardh metalik që nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit dhe asnjë automjet dhe asnjë qytetar nuk lejohet të kalojë, ndërsa këtë herë është zgjeruar edhe perimetri i sigurisë.

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, në orën 10:00, ku në fokus të seancës do të jenë raportimet dhe miratimi i projektrezolutave për veprimtarinë e 7 institucioneve të pavarura për vitin 2025.
Deputetët do të shqyrtojnë raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në rend dite janë parashikuar edhe një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.
Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu dy aktet normative të qeverisë, për ndryshimet në buxhetin e vitit 2026 dhe për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare.
Deputetët pritet të votojnë edhe një sërë projektligjesh që lidhen me Kodin Civil, ligjin për turizmin, Policinë e Shtetit, Avokaturën e Shtetit, Kodin Detar, pronësinë industriale, kontabilitetin, si dhe legjislacionin për shoqëritë dhe grupimet ekonomike evropiane.
Në fund të seancës janë parashikuar votimet për emërimin e kryetarit dhe tre anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, si edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Pritet të shohim a do ketë debate, siç ndodh thuajse në çdo seancë parlamentare, mes opozitës dhe mazhorancës.
Lini një Përgjigje