TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Korrik 2026, 16:54

Mbyllet mes tensioneve dhe përplasjeve seanca plenare, PD bllokon raportimin e Avokatit të Popullit

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet mes tensioneve dhe përplasjeve seanca plenare, PD bllokon
PD bllokon foltoren

Opozita bllokoi dy herë foltoren për të mos lejuar raportimin e Endrit Shabanit, ndërsa me propozim të Taulant Ballës mazhoranca vendosi shtyrjen e seancës. Bardhi e cilësoi skenar për të prishur edhe seancën e së enjtes.

Seanca plenare e Kuvendit u mbyll mes tensionesh dhe përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës, pasi deputetët demokratë bllokuan dy herë foltoren për të mos lejuar raportimin e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.

Përplasjet nisën sapo drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, prezantoi pikën e rendit të ditës për raportimin e Avokatit të Popullit. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi ashpër, duke e cilësuar provokim ndaj opozitës paraqitjen e Shabanit në Kuvend.

"Keni shkelur Kushtetutën, grupi ynë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sa kohë nuk ka vendim, respektoni këtë sensibilitet të opozitës", deklaroi Bardhi.

Pas bllokimit të parë, seanca u ndërpre për pesë minuta. Megjithatë, edhe pas rikthimit situata mbeti e njëjtë. Deputetët e opozitës vijuan të qëndronin në podium, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës.

Nga ana tjetër, Niko Peleshi u bëri thirrje deputetëve të opozitës të lirojnë foltoren dhe të respektojnë rregulloren e Kuvendit.

"Nuk e kemi arenë gladiatorësh parlamentin. Lironi foltoren! Takojeni pas raportimit. Mos u impononi mendimin tuaj kolegëve të tjerë që janë ulur dhe po presin të dëgjojnë raportin. Mos u bëni pengesë e zbatimit të Kushtetutës. Ju lutem uluni!", tha Peleshi.

Kur deputetët e opozitës iu përgjigjën me thirrjen "Ne nuk e njohim!", Peleshi vijoi: "Ka të tjerë që e njohin! Në këtë sallë jeni të detyruar të respektoni rregulloren dhe detyrimin e institucioneve të raportojnë. Uluni, nuk jeni këtu për forcën fizike! Nuk jemi këtu për përleshje! Jemi për të përplasur mendimet, jo kokat! Pa dëgjuar raportin, nuk mund të diskutojmë në ajër! Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës."

Për shkak të bllokimit, seanca u ndërpre edhe për herë të dytë me një tjetër pushim pesëminutësh.

Pas rifillimit, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, propozoi mbylljen e seancës së sotme dhe shtyrjen e të gjitha raportimeve institucionale për seancën e ardhshme.

"Pesë institucionet që janë sot të programuara për të raportuar në seancë të ruhen. Do t’i propozoja seancës që të ndërpritet këtu. Rezolutat për KLP, KLSH, KLGJ, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un, ILD-në dhe Avokatin e Popullit të kalojnë në seancën pasardhëse. U konceptua dhe u kërkua prej meje si kryetar i grupit që të ishte seancë e posaçme raportimesh, por nuk u arrit një gjë e tillë", tha Balla.

Opozita doli kundër këtij propozimi. Gazment Bardhi kërkoi që nga rendi i ditës të hiqej vetëm raportimi i Avokatit të Popullit dhe seanca të vijonte normalisht me institucionet e tjera. Sipas tij, shtyrja e të gjithë rendit të ditës ishte një skenar për të prishur edhe seancën e së enjtes.

Megjithatë, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, hodhi në votim propozimin e Taulant Ballës, i cili u miratua me 76 vota pro. Si pasojë, raportimet e institucioneve të parashikuara për këtë të mërkurë u shtynë për seancën plenare të së enjtes.

tensione kuvend

Lini një Përgjigje