
Nis marshimi në rrugët kryesore të Tiranës në ditën e 51-të të protestës qytetare.
Protestuesit u nisën nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", duke marshuar me pankarta dhe flamuj në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Ashtu si çdo mbrëmje, protestuesit shprehën revoltën e tyre përmes thirrjeve kundër qeverisë, opozitës dhe gjithë klasës politike.
Pas grumbullimit para godinës së Kryeministrisë, protestuesit mbajtën fjalimet e tyre kundër sistemit aktual qeverisës, ndërsa më pas nisën marshimin në rrugët e Tiranës.
Përgjatë itinerarit u dëgjuan brohoritje si: "Shqipëri e re", "Rama ik, Berisha ik", "Edi Rama, jep dorëheqjen", "Poshtë patronazhistët", "Parlament analfabet", "Shqipëria kërkon revolucion", "Dorëheqje", "Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve", "Edi Rama o legen, gjithë Shqipëria të urren", "Pa rini nuk ka Shqipëri", "Rama, SPAK You" dhe "Shqipëria nuk është në shitje".
Marshimi u zhvillua nën masa sigurie, ndërsa protestuesit përshkuan disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit duke vijuar me pankarta, flamuj dhe thirrje.
Në përfundim të marshimit, qytetarët do të rikthehen sërish përpara godinës së Kryeministrisë, aty ku mbyllet edhe protesta e ditës së 51-të.
Lini një Përgjigje