TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Korrik 2026, 20:52

"Nuk zëvendësojmë një autokrat me një tjetër", mesazhi i protestuesit: Kërkohet ndryshim i sistemit politik

Shkruar nga Pamfleti

"Nuk zëvendësojmë një autokrat me një

Në ditën e 51-të të protestës kundër qeverisë, një prej qytetarëve që mori fjalën në shesh deklaroi se protesta nuk ka si qëllim vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por një transformim të sistemit politik në vend.

"Sot ne kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë, largimin e një qeverie të korruptuar dhe një kryeministri të korruptuar. Por nuk bëhet fjalë vetëm për të ndryshuar një njeri. Bëhet fjalë për të ndryshuar një sistem, për një Shqipëri të re dhe një Kushtetutë të re", u shpreh ai.

Protestuesi pretendoi se kryeministri Edi Rama mban përgjegjësi për situatën politike në vend, duke deklaruar se ekipi me të cilin ai erdhi në pushtet është sot nën hetim.

"Kur u ngjit në pushtet premtoi një skuadër, por sot ajo skuadër është e gjitha nën hetim. Ai është arkitekti dhe njeriu që ka organizuar gjithçka në këtë vend", tha protestuesi.

Gjatë fjalës së tij, qytetari theksoi se protestuesit nuk kërkojnë thjesht zëvendësimin e një drejtuesi politik me një tjetër, por një reformim të plotë të sistemit.

"Nuk duam thjesht të heqim një autokrat për të vendosur një tjetër. Duam një ndryshim politik thelbësor, një rend të ri demokratik dhe që qytetarët të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre", deklaroi ai.

Protestuesi përsëriti gjithashtu thirrjen "Rama në burg, Berisha në burg", duke argumentuar se, sipas tij, ndryshimi duhet të përfshijë të gjithë klasën politike. Në fund të fjalës, ai u bëri thirrje deputetëve që t'i bashkohen protestës.

"I keni parë përfaqësuesit e popullit? Nuk mbajnë përgjegjësi. Ata deputetë që kanë mbetur, të na bashkohen dhe t'i vënë mandatet e tyre në funksion të kësaj proteste, sepse ky është vullneti i qytetarëve", u shpreh protestuesi.

Protesta kundër qeverisë vijon prej 51 ditësh, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje