
Aktivisti Edison Lika u bëri thirrje qytetarëve t'i bashkohen protestës së paralajmëruar për më 23 korrik para Kuvendit, gjatë fjalës së mbajtur në podiumin e protestës përpara Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij në ditën e 51-të të protestës kundër qeverisë, Lika tha se deputetët nuk përfaqësojnë qytetarët, por, sipas tij, interesat e oligarkisë dhe të krimit të organizuar.
"Jemi në ditën e 51-të të kësaj revolte që i ka ndryshuar faqen dhe raportin me demokracinë Shqipërisë. Shumë prej nesh shkuam të prisnim deputetët tanë dhe, pavarësisht se thamë se do të ishim paqësorë, ata u futën skutave. Më thoni, çfarë përfaqësuesish të popullit janë ata që kanë frikë nga populli që supozohet se i ka votuar?", u shpreh ai.
Aktivisti pretendoi se seanca plenare e planifikuar për 23 korrik nuk është shpallur zyrtarisht, pasi mazhoranca ka frikë nga protesta e paralajmëruar.
"Ka disa ditë që është bërë thirrja që më 23 korrik, në seancën e fundit plenare, të jemi para Parlamentit. Tani thuhet se nuk ka asnjë mbledhje, sepse kanë frikë nga ne. Nëse do të ketë seancë plenare, ne do të jemi aty për t'u dhënë përshëndetjen e fundit. Ata fshihen sepse nuk kanë guxim të na shohin në sy", deklaroi Lika.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 23 korrikut, duke theksuar se mobilizimi do të jetë edhe më i madh.
"Më 23 korrik do të jemi aty më të fortë dhe më të zëshëm se kurrë për t'u thënë se nuk na përfaqësoni. Ne përfaqësojmë vetë veten tonë dhe të gjithë ata që kanë probleme në këtë shoqëri", tha ai.
Lika përmendi edhe emra deputetësh, duke deklaruar se: "Nuk na përfaqëson as Sara Mile, as Zegjineja dhe as Albana Vokshi".
Lini një Përgjigje